Shqipëria

Meta: Në Shqipëri jetojnë 930 mijë e 457 qytetarë me të ardhura nën 5.5 dollarë në ditë


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në median sociale Facebook, ka postuar disa imazhe nga protesta e ditës së djeshme e organizuar nga qytetarët kundër rritjes së çmimeve.

Në mbishkrim, Meta shkruan se sot në Shqipëri jetojnë 930 mijë e 457 qytetarë me të ardhura nën 5.5 dollarë në ditë.

Sipas disa shifrave të postuara nga Kreu i Shtetit, prej tyre, 64 mijë e 710 familje në ndihmë ekonomike, me të ardhura në 0.7 dollarë në ditë për person.

“Prej tyre, janë 64,710 familje në ndihmë ekonomike, me të ardhura për person në 0.7 USD/ditë. Rreth 46,742 qytetarë me pension familjar mujor, që jetojnë me të ardhura 2 USD/ditë. Rreth 440,579 pensionistë në zonat urbane, me të ardhura në 4.8 USD/ditë. Rreth 63,099 pensionistë invalidë, me të ardhura në 4.4 USD/ditë. Rreth 103,626 pensionistë të zonave rurale, me të ardhura në 2.8 USD/ditë. Rreth 5,755 të papunë, që trajtohen me ndihmë ekonomike në 4.5 USD/ditë”.

Meta bën thirrje që ka ardhur “koha për t’i mbështetur pa vonesë këto familje dhe këta qytetarë!”, duke ngritur shqetësimin sesi do t’i përballojnë këto çmime shtresat në nevojë.

“Në kushtet kur çmimet e mallrave ushqimore po rriten abuzivisht me të paktën 10% dhe çmimi i karburanteve me rreth 30%, si do të jetojnë dhe do ta përballojnë koston e lartë të produkteve bazike 930 mijë e 457 qytetarë me të ardhura nën 5.5 USD/ditë?!”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore