Shqipëria

Meta dhe Berisha në Azerbajxhan – TAP do të forcojë sigurinë energjetike të Evropës


Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, ka marrë pjesë në Forumin IX Global “Rezistenca globale, bashkëpunimi global”, në Baku, Azerbajxhan, ku ka folur pë gazësjellësin TAP dhe efektet e tij në pavarësinë energjetike të Evropës. I ftuar në këtë forum është edhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha.

Presidenti me një status në Facebook shkruan se ky forum është një “platformë unike e personaliteteve të dalluara nga të gjithë sektorët e qeverisjes, jetës politike dhe shoqërore në botë”.

Sipas mediave vendase, Meta foli edhe për gazsjellësin TAP, duke shprehur se ky projekt do të forcojë sigurinë energjetike të Evropës.

Sipas Metës, bota po përballet me sfida që rrjedhin nga situata në Ukrainë, pandemia e vazhdueshme e COVID-19, kriza energjetike etj.

“Pasojat e pushtimit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia, si dhe hapat që duhen ndërmarrë në një epokë pas pandemisë COVID-19 do të jenë temat kryesore të këtij forumi të rëndësishëm, të cilit i uroj rezultate të frytshme, si dhe që të gjitha mendimet dhe idetë e shprehura këtu, të na shërbejnë për të rënë dakord, nëpërmjet angazhimeve konkrete për të garantuar një të ardhme sa më të mirë për vendet tona!”, shkruan Presidenti Meta në faqen e tij në Facebook.

Me anë të një video të postuar në median sociale Facebook, Berisha shkruan se Forumi “është një mundësi e veçantë për tu paraqitur miqve të mij, personaliteteve të pranishëm, publikut dhe mediave qëndrimet e Partisë Demokratike për zhvillimet në vend, në rajon dhe në Evropë”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore