Aplikacione

Meta injekton një kod në faqet e internetit për të gjurmuar përdoruesit, sipas një hulumtimi


Meta ka rishkruar faqet e internetit që vizitojnë përdoruesit e vet, duke e lënë kompaninë t’i ndjekë ato në të gjithë web-in pasi të klikojnë link-et në aplikacionet e saj.

Kështu ka rezultuar nga një studim i ri nga një ish-inxhinier i Google-it.

Të dy aplikacionet kanë përfituar nga fakti se përdoruesit që klikojnë në link janë dërguar në faqet e internetit në një “shfletues brenda aplikacionit”, të kontrolluar nga Facebook-u ose Instagram-u.

Kjo, në vend që të dërgohen në shfletuesin e zgjedhur të internetit të përdoruesit, si Safari ose Firefox.

“Aplikacioni Instagram injekton kodin e tyre të gjurmimit në çdo faqe interneti të shfaqur, duke përfshirë klikimin në reklama, duke u mundësuar atyre të monitorojnë të gjitha ndërveprimet e përdoruesve”, ka treguar Felix Krause, një studiues i privatësisë.

Kurse një zëdhënës i kompanisë ka thënë se “e zhvilluam qëllimisht këtë kod për të nderuar zgjedhjet e njerëzve në platformat tona”.

“Kodi na lejon të grumbullojmë të dhënat e përdoruesit përpara se t’i përdorim për qëllime reklamimi ose matjeje të synuara”, ka shtuar.

Po ashtu kompania ka vijuar se “për blerjet e bëra përmes shfletuesit brenda aplikacionit, kërkojmë pëlqimin e përdoruesit për të ruajtur informacionin e pagesës për qëllime të plotësimit automatik”.

Krause e zbuloi injektimin e kodit duke ndërtuar një mjet që mund të listonte të gjitha komandat shtesë të shtuara në një faqe interneti nga shfletuesi.

Mjeti, për shfletuesit normalë dhe shumicën e aplikacioneve, nuk zbulon ndryshime.

Por për Facebook-un dhe Instagram-in gjen deri në 18 rreshta kodi të shtuara nga aplikacioni. Këto duket se skanojnë për një komplet të veçantë gjurmimi mes platformave.

Sakaq, nuk ka asnjë sugjerim që Meta ta ketë përdorur injeksionin e saj Javascript për të mbledhur të dhëna të ndjeshme.

Në përshkrimin e kompanisë për Meta Pixel, mjeti lejon gjurmimin e aktivitetit të vizitorëve në faqen e internetit dhe se mund të mbledhë të dhëna shoqëruese.

Është e paqartë se kur Facebook-u e ka nisur të injektojë kodin për të gjurmuar përdoruesit pas klikimit të link-eve.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore