Meta i jep “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” heroit Arjan Sala

SHFLETO
Orges Permargjeta
13.04.2021 17:06
Loading Icons...

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekoruar të martën Heroin Arjan Sala, pas vdekjes, me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”.

“Në shenjë vlerësimi e respekti të thellë për heroizmin e pashoq në përmbushjen e detyrës për të shpëtuar jetën e shumë qytetarëve. Për sakrificën dhe vetëflijimin e tij sublim, me të cilat hyri në zemrat tona, si shembull i heroizmit dhe humanizmit”, shkruan Meta.

Presidenti shkruan se Arjani na dëshmoi se Shqipëria ka plot heronj që i bëjnë nder kombit.

“Në një kohë kur vendi ynë po vuan nga papërgjegjshmëria dhe egoizmi i babëzitur i një grushti njerëzish, Arjani na dëshmoi në mënyrën më të dhembshme të mundshme se Shqipëria ka në gjirin e saj plot njerëz të mrekullueshëm, heronj të padukshëm, që i bëjnë nder kombit”.

Meta nuk la pa përmendur edhe prindërit e Arjanit, për të cilët ai shprehu mirënjohjen që rritën të birin e tyre me “vlerat më të larta njerëzore, me dashurinë vetëmohuese për njerëzit dhe përgjegjësinë ndaj detyrës”.

“Bashkëshortes dhe djalit të vogël, Aronit, fatkeqësisht nuk ua kthejmë dot këtë humbje të pazëvendësueshme, por do t’u qëndrojmë pranë e kujdesemi në çdo moment, nga unë i pari si President i Republikës ashtu edhe çdo shqiptar tjetër, që u solidarizua me aktin heroik të Arjan Salës”.

Meta e mbyll shkrimin me fjalët se Arjani do të gëzojë respektin dhe mirënjohjen e përjetshme të të gjithë shqiptarëve si Hero i gjallë dhe bashkëkombas i Nënë Terezës!

Arjan Sala punonte si punonjës i shërbimit të sigurisë të një kompanie private pranë qendrës tregtare Casa Italia.

Pas një zjarri që ra nё njё magazinë tek Casa Italia, Sala vrapoi për të  shpëtuar 25 punonjёs tё tjerё, por vetë mbeti i bllokuar në katin e nëndheshëm të magazinës.

Arjan Sala u shpall më 29 mars, “Dëshmor i Atdheut”.