Shqipëria

Meta e konsideron masën ndaj Berishës si “shantazh ndaj opozitës”


Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta i ka konsideruar si “shantazh” ndaj opozitës veprimet “antikushtetuese” të drejtësisë për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Kujtojmë që, Berisha dyshohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal”.

Për këtë arsye, GJKKO-ja ka caktuar masën e sigurimit personal shtrëngues “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj ish-kryeministrit si person nën hetim.

“Drejtësia me regji ka ndërmarrë veprimet e saj antikushtetuese dhe të paligjshme ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike Prof. Dr. Sali Berisha me urdhër politik të Edi Ramës”, shkruan fillimisht ish kreu i shtetit.

Sipas tij, këto veprime, kërkojnë shmangien e vëmendjes nga “korrupsioni dhe përgjegjësitë shumë të rënda personale të Edi Ramës për aferën e inceneratorëve dhe mjaft aferave të tjerave qindra milionëshe”.

Meta vëren në median sociale “Facebook” se qëllimi politik i vetëm është shantazhi dhe intimidimi i opozitës.

Kjo e fundit, shton ai, po denoncon me këmbëngulje të vërtetat “shumë të hidhura të korrupsionit mafioz të Qeverisë”.

Ish-klubi Partizani: GJKKO zbulon vendimin për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore