Shqipëria

Meta dhe Berisha ‘një’ kundër Ramës


Kreu i Partisë së Lirisë dhe ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka deklaruar se aksionin opozitar të shtatorit do ta zhvillojë në bashkërendim të plotë me kreun e Partisë Demokatike, Sali Berisha.

Pavarësisht faktit se në shtator do të pritet më shumë një intensifikim i veprimit politik, ish-kreu i shtetit deklaroi se veprimi opozitar do të jetë i vazhdueshëm, edhe përgjatë gushtit.

“Ne do të jemi në krah të qytetarëve kudo dhe në bashkëpunim dhe koordinim me PD-në dhe gjithë partitë të cilat e këtë prioritet’, vuri theksin Meta.

Ndërsa, mbi vetë figurën e Berishës, ai tha se mbetet një institucion dhe është në krye të forcës politike më të rëndësishme për opozitën shqiptare sot.

Teksa, akuzat për ish-kreun e demokratëve, Lulzim Basha, nuk i kurseu.

“Është e rëndësishme që opozita në mënyrën më paqësore, më aktive, më qëndrestare, më demokratike dhe me një organizim shumë më të mirë se deri tani, të konkretizojë atë shpirt opozitar të jashtëzakonshëm që ekziston sot në Shqipëri, por që grinta e këtij shpirti u vra nga një ish-lidership jo vetëm i përgjumur, por edhe i korruptuar nga qeveria”, theksoi Meta.

Sa i përket zgjedhjeve lokale të vitit 2023, ai bëri me dije se Partia e Lirisë do të jetë pjesëmarrëse në to.

Nga ana tjetër, mbi kryeministrin Edi Rama, Meta komentoi se e pret “një fund i llahtarshëm” dhe se kreu i Qeverisë, e ka përmbyllur qëndrimin e tij në krye të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore