Shqipëria

Meta dhe aleatët i kërkojnë Berishës daljen me një kandidat në zgjedhjet lokale


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka kërkuar që opozita të dalë me një kandidat të vetëm në zgjedhjet lokale të vitit 2023.

Sipas tij, Partia Demokratike duhet të jetë edhe më interesuar, duke qenë një parti më e madhe duhet të ketë përgjegjësi më të madh e për këtë rezultat.

“Kjo është një mundësi që nuk mund të nënvleftësohet as nuk mund të humbasë”, tha Meta në daljen e tij të fundit publike.

Por gjatë ditës, edhe aleatët historik të selisë blu u shprehën se janë në kërkim të një marrëveshje parazgjedhore për të dalë me një kandidat të përbashkët.

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, theksoi se rruga që ka ndjekur partia demokratike për të përcaktuar me primare kush do jetë kandidat i PD-së është i vlefshëm pasi është proces brenda partisë demokratike, por këtu “flasim për një proces që të bashkojë të gjithë opozitën”.

Sipas tij, ideja e primareve të hapura ku qytetarët të votojnë kush është kandidati më i mirë është mendoj gjëja më e mirë

Nga ana tjetër, Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, deklaroi se shumica e kandidatëve duhet të jenë nga partia më e madhe, pra PD-ja.

“Një formë tjetër që për mua është shumë e thjeshtë, me sondazhe, me një kompani ndërkombëtare, hidhen 6 vetë në garë për Durrësin nga i cili fiton më i miri. Natyrisht që shumica e kandidatëve mund të jetë nga PD”, tha Duka.

Deputeti Dashamir Shehi theksoi se kandidimi me më shumë se një kandidat do të jetë në “favor të Edi Ramës”.

Nga Partia Demokratike ende nuk ka pasur një reagim zyrtar se si do të shkohet në zgjedhjet lokale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore