Sport

Messi te Al-Hilal, sa do të jetë diferenca e pagës së tij me atë të Ronaldo-s?


Lionel Messi me shumë mundësi do të transferohet në Arabinë Saudite te skuadra e Al-Hilal.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat franceze, sipas të cilave transferimi nga PSG në klubin arab do të ndodhë pas përfundimit të këtij sezoni në Francë.

Gazeta franceze “L’Equipe” shkruan se oferta në tryezë për Messi-n është një marrëveshje dyvjeçare me opsionin vazhdimi edhe për një tjetër.

Në rast se ai do të transferohet atje, atëherë do të rikthehet rivaliteti i vjetër “Messi – Ronaldo”, me portugezin që luan te skuadra tjetër arabe, Al-Nassr.

Por, sa do të fitojë Messi në krahasim me Cristiano Ronaldon?

Sa do të fitojë Lionel Messi në Al-Hilal?

Fituesi i Kupës së Botës thuhet se ka nënshkruar një kontratë prej 522 milionë funtesh me skuadrën saudite, që është shumë më tepër se marrëveshja e tij aktuale me PSG-në – 103.4 milionë euro në sezon.

Mediat e huaja raportuan më herët që pengesa e vetme që ky transferim të përmbyllet, është gruaja e Messi-t, Antonela, e cila nuk dëshiron që bashkëshorti i tij ta vazhdojë karrierën atje.

Antonela thuhet se heziton të zhvendoset në Lindjen e Mesme me tre djemtë e saj dhe do të preferonte të qëndronte në Evropë.

Messi thuhet se është përgatitur të presë deri në fund të sezonit për të marrë vendimin e tij. Megjithatë, sulmuesi tani duket i vendosur të bëjë ndryshimin.

Kohët e fundit, PSG urdhëroi siguri shtesë për të mbrojtur lojtarët e tyre, përfshirë Messi-n, pasi që tifozët e PSG-së ishin të pakënaqur me argjentinasin dhe dëshironin largimin e tij.

Pas humbjes në shtëpi nga skuadra e Lorient, pati protesta nga tifozët para qendrës stërvitore, si dhe para shtëpive të Messi-t, Neymar-it dhe Verratti-t.

Pas kësaj ngjarje, shtatë herë fituesi i Topit të Artë bëri një udhëtim në Arabinë Saudite, gjë që ishte dënuar nga klubi (kishte udhëtuar pa lejen e klubit).

Sa fiton Cristiano Ronaldo me Al-Nassr?

Cristiano Ronaldo nënshkroi për Al-Nassr në një marrëveshje 175 milionë funte në vit pas largimit të tij nga Manchester United në nëntor të vitit të kaluar.

Sulmuesi portugez nënshkroi një marrëveshje dyvjeçare. Kontrata theu rekord, ku Ronaldo u bë sportisti më i paguar në botë, duke tejkaluar Messi-n, Lebron James-in dhe Steph Curry-n.

Sipas listës zyrtare të “Forbes” për atletët më të paguar për vitin 2022, Messi kishte qenë më i paguari, para se Roanldo të lëvizte drejt Lindjes së Mesme.

Megjithatë, me Messi-n që duket se ka gjasa të bashkohet me Al-Hilal, Ronaldo përsëri do të zbresë i dyti në listë.

Me kontratën e Messi-t me vlerë prej 522 funtesh, ai do të fitojë 261 milionë funte për sezon, që do të thoshte se 86 milionë më shumë se Ronaldo.

Që nga transferimi në Arabinë Saudite, CR7 ka shënuar 12 gola në 13 ndeshje të ligës deri më tani.

Ndërsa Messi në këtë sezon me PSG-në ka shënuar 20 gola dhe ka dhuruar 19 asistime në 37 ndeshje në të gjitha garat.

Kujtojmë që Messi dhe Ronaldo kanë pasur një rivalitet të madh në dy dekadat e fundit në futboll, sidomos kur njëri luante për Barcelonën e tjetri për Real Madrid-in.

Për 12 vite radhazi, dyshja ishin rivalë edhe në fitimin e Topit të Artë, ku Messi ka një rekord prej shtatë trofesh, ndërsa Ronaldo e fitoi pesë herë të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore