Sport

Messi nuk u paraqit asnjë minutë, tifozëve në Hong Kong u rimbursohen 7 milionë euro


Lionel Messi

Dëmtimi që pengoi Lionel Messi-n për të marrë pjesë në një ndeshje miqësore ndërmjet Inter Miami dhe një ekipi të Hong Kongut, të planifikuar për të dielën e kaluar, i kushtoi organizatorëve të ngjarjes rreth 7 milionë euro pasi ata kanë zgjedhur të rimbursojnë tifozët.

Siç raporton “Bloomberg”, zgjedhja e “Tatler Asia” vjen pas polemikave të shkaktuara nga mosprezenca e Messi-t në një event që solli rreth 38 mijë njerëz në stadium, të cilët gjithashtu iu desh të përballonin një kosto maksimale për biletat prej gati 580 eurosh.

Zhgënjimi i tifozëve u kthye në zemërim kur panë të preferuarin e tyre të dilte në fushë pak ditë më vonë, për një gjysmë ore, në një ndeshje miqësore në Tokio.

Organizatori gjithashtu zgjodhi të mos mbledhë gati 15 milionë euro nga qeveria e Hong Kongut të planifikuar për këtë ngjarje. Ajo që duhet të ishte një fitim prej rreth 1.5 milionë, u përkthye në një humbje prej 5 milionësh.

Messi tani rrezikon të shohë pasoja serioze në imazhin e tij në Lindjen e Largët me disa marka që tashmë kanë njoftuar se nuk duan të lidhin markën e tyre me kampionin e botës. Kjo është ripërsëritur nga të njëjtat gazeta në Kinë, vend që do të presë dy ndeshje miqësore me Argjentinën në mars.

36-vjeçari nga Rosario ndau të mërkurën një mesazh në “Weibo”, rrjeti social më i rëndësishëm në Kinë, në të cilin ai tha se i vinte keq që nuk mundi të luante para tifozëve të tij në Hong Kong për shkak të një dëmtimi.

Mesazhi u nda edhe nga Inter Miami, i cili nënvizoi se si u përpoqën të rikuperonin dy lojtarët (Messi dhe Luis Suarez) deri në minutën e fundit dhe për këtë arsye nuk e komunikuan mungesën e tyre në kohën e duhur. Megjithatë, justifikimet nuk janë bindëse në Kinë.

Mungesa e Messit në miqësore zemëron qeverinë e Hong Kongut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore