Sport

Messi fiton trofeun e 44 në karrierë – të parin me Inter Miami


Lionel Messi ka fituar trofeun e parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi skuadra e tij Inter Miami e ka mposhtur në finale të Leagues Cup skuadrën e Nashville pas penalltive.

Messi realizoi një super gol në minutën e 23-të, por ndeshja në kohë të rregullt u mbyll 1:1.

Ndryshe, Messi në Leagues Cup me Inter Miamin ka shënuar deri më tani 10 gola në shtatë ndeshje, ndërsa pati edhe një asistim.

Ai u shpall lojtari më i mirë në këtë garë, ku marrin pjesë ekipe nga liga MLS e ShBA-së dhe nga elita e futbollit të Meksikës.

Ndërkohë Messi e ka përmirësuar rekordin, duke fituar trofeun e 44-të në karrierë.

Për Inter Miamin është trofeu i parë i fituar.

Pas ndeshjes, bashkëpronari Inter Miami, David Beckham, tha se ish-treshja e Barcelonës ishte e rëndësishme në ndryshimin e fatit të klubit.

“Është si një film, kur shikon këta lojtarë duke luajtur”, tha Beckham.

Ndërsa mesfushori i Spanjës Busquets shtoi se ekipi po rritet me hapa të mëdhenj dhe “ne jemi shumë të lumtur”.

“Ne po bëjmë një ekip solid”, shtoi ai.

Inter Miami gjithashtu kanë shansin për të arritur një tjetër finale kur të luajnë me Cincinnati në gjysmëfinalen e kupës së hapur të ShBA-së të mërkurën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore