Shqipëria

Mesazhi i Ramës për Kosovën në 24-vjetorin e çlirimit: Pa aleatët strategjikë s’do të kishte Republikë të Kosovës


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kujtuar hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë para 24 vitesh me një mesazh më shumë se aktual për krizën në veri të vendit.

“Si sot e gati çerek shekulli më parë, hyrja e NATO-s në Kosovë u rikujton të gjithëve, se pa aleatët strategjikë të shqiptarëve, miq të mirë në ditët më të këqija, s’do të kishte as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë! Zoti i bekoftë aleatët tanë!”, shkruan kreu i Qeverisë në median sociale “Twitter”.

Sipas tij, sot është dita për të reflektuar e për ta nxjerrë Kosovën nga “qorrsokaku ku e ka futur grindja absurde me aleatët”.

“Prandaj bash sot është dita për të reflektuar thellë e për ta nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku ku e ka futur grindja absurde me aleatët! Kosova duhet të dalë patjetër prej qorrsokakut me dialog jo me policë, me ide konkrete jo me propagandë, me miq të mirë jo me keqtrajtim të miqve!”, vijon Rama.

Paraprakisht, më 9 qershor u nënshkrua marrëveshja ushtarako-teknike, që kishte paraparë një plan të detajuar të tërheqjes së ushtrisë dhe policisë serbe, kurse më 10 qershor u miratua Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që parashihte një forcë paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.

Kjo rezolutë parashihte tërheqjen e plotë të të gjitha forcave të sigurisë dhe vendosjen e Kosovës nën kontrollin ekskluziv të OKB-së. Tërheqja e plotë serbe nisi atëherë, kurse nisja e zbarkimit të forcave të NATO-s ndodhi menjëherë të nesërmen.

Të hënën e 12 qershorit, festohet 24 vjetori i çlirimit, ditë kjo e cila nuk është festë zyrtare në Kosovë. Ligji për festat zyrtare, 12 qershorin e njeh vetëm si ditë memoriale, madje nuk e njeh as si ditë të çlirimit – kur nisi largimi i çizmes së fundit të ushtarit serb – por si ditë të paqes.

Operacioni Forca Aleate ishte përgjigja ushtarake e NATO-s ndaj krizës së Kosovës të vitit 1999 dhe operacioni i parë i madh luftarak në historinë e NATO-s.

Drafti

“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, që janë dy kumbarët e propozimit franko-gjerman një draft të asociacionit, për të cilën kam vënë në dijeni edhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, si dhe palën amerikane”, pohoi fillimisht Rama gjatë një konference për shtyp.

Sipas tij, bëhet fjalë për një draft të punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikan dhe evropian prej kohësh, “gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë”.

“Për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë që e përsëris, bën atë që ka bërë dhe herë të tjera, palët nuk po merren dot vesh as se kush duhet ta shkruajë këtë tekst e jo më të merret vesh se çfarë duhet të ketë teksti”, shtoi kreu i Qeverisë.

Për Ramën, “nyja Gordiane e dialogut” do të ishte Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“E kam ditur me kohë që nyja Gordiane e dialogut do të ishte deri në fund asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe bindja ime është se asnjëra nga palët nuk e do asociacionin dhe do të bëjë çmos që ta shtyjë atë në pafundësi, duke mbajtur të hapur krizën me lloj-lloj artificash politike apo teknike”, theksoi në vijim kryeministri.

Kryeministri shqiptar vërejti se bëhet fjalë për një dokument konfidencial, i cili pa diskutim nuk pretendon të jetë “zgjidhja ideale”.

“Ju siguroj që është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e asociacionit dhe patjetër merr në konsideratë që asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjithë rekomandimet apo konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, shtoi ai.

Rama deklaroi se uron dhe shpreson që ky material “do të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun dhe për t’i bërë palët që të flasin për gjëra konkrete, gjëra që lidhen me përfundimin e suksesshëm të dialogut”.

Kryeministri shqiptar bëri me dije se nuk është konsultuar me homologun kosovar Albin Kurti për këtë propozim, duke iu përgjigjur pyetjeve të mediave të pranishme.

“Nuk hyj fare në këto sepse edhe këto nuk kanë ndonjë rëndësi të veçantë nëse janë apo s’janë të vërteta për sa kohë nuk janë deklarata publike, por janë dokumenta që qarkullojnë të pakonfirmuara, por as të pamohuara, por nuk është fati i Albin Kurtit sot në lojë, është fati i Republikës së Kosovës si e tërë dhe natyrisht që unë dua vetëm suksesin e Albin Kurtit, qeverisë së Kosovës, Republikës së Kosovës dhe asgjë tjetër”, garantoi Rama.

Kryeministri shqiptar bëri thirrje gjithashtu që të largohen efektivët e Policisë së Kosovës nga godinat “boshe” të komunave në veriun e vendit.

“Kjo është një gjë shumë e madhe për t’u tretur në dallgët e furtunës në gotën e katër komunave për katër kryetarë komunash që e kanë kryer misionin e tyre dhe që mund të vazhdojnë detyrën në godina të tjera, pa pasur nevojë që të angazhohet një polici e tërë për të rritur komplet në mënyrë artificiale frymën e vetëvendosjes së serbëve në ato territore. Ky është fakti, i hidhur por shumë i vërtetë”, vijoi ai.

Kryeqeveritari sqaroi se kjo lëvizje e tij në koordinim me ekspertët ndërkombëtare për hartimin e këtij propozimi nuk është në vete “një sulm ndaj Albin Kurtit”.

“Unë nuk sulmoj Albin Kurtin. Albin Kurtin e fajëson bota e tërë demokratike me emër dhe me mbiemër dhe kjo mua më shkakton vetëm keqardhje sepse nuk shoh pse duhet të ndodhë kështu. Unë nuk jam as për të gjykuar Albin Kurtin dhe aq më pak për të sulmuar Albin Kurtin. Këto janë deduksione të gabuara”, nënvizoi Rama.

Kryeministri shqiptar mendon që një asociacion që është brenda kornizës Kushtetuese të Kosovës, “në sinkron me të gjithë pritshmëritë e komunitetit demokratik, që i jep vetë administrim, vetë menaxhim, quajeni si të doni, atyre që e përbëjnë, pa e vënë në pikëpyetje asnjëherë autoritetin e institucioneve të Republikës së Kosovës, është gjëja që i duhet sot Kosovës”.

Rama tregoi gjatë konferencës se drafti nuk ka për t’u bërë ndonjëherë publik.

“Drafti nuk është për t’u bërë publik , drafti është një material në tryezë ku mund të ketë edhe materiale të tjera. Është thjesht një kontribut, por gjëja që di të them unë është, që kush e do zgjidhjen realisht, e ka gati, ta marrë e ta aplikojë. Këtë e them me garanci 100%. Ta marrë, ta aplikojë”, ravijëzoi ai në përmbyllje.

Ndërtimi i situatës

Kujtojmë që autoriteteve kosovare po i kërkohet që të fillojnë urgjentisht zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes Bazë.

Kjo, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me të cilën parashihet një “nivel i përshtatshëm i vetëmenaxhimit/vetëqeverisjes” për komunitetin serb në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e përshkruajnë këtë si “detyrë urgjente” për Kosovën dhe një ndër “hapat ekzistencial” për aspiratat euro-atlantike të Kosovës.

Nga kryeministri Kurti po pritet hartimi i një draft-statuti për këtë pajisje për serbët e Kosovës.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe vlerësohet të jetë një mekanizëm i madh për serbët – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e tyre, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm.

Ndërkaq, autoritetet kosovare kanë frikë jo për atë që sot paraqet legalisht ky instrument, mirëpo për faktin se çfarë ai mund të paraqesë në të ardhmen, gjatë implementimit praktik, me theks të veçantë krijimin e një modeli të ri të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore