Kosova

Mesazhet e Gabriel Escobar, një moment urgjence për marrëveshjen finale


Gabriel Escobar

Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, të mërkurën e 18 tetorit, ka qëndruar në Kosovë.

Ai zhvilloi takime me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ku temë e takimit besohet të jetë nevoja për përshpejtim të procesit të dialogut drejt një marrëveshje finale me Serbinë.

Diplomati amerikan edhe pse në konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, u tregua mjaft diplomatik në fjalimin e tij, të njëjtën gjë nuk e bëri disa orë më vonë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, përpos se ishte shumë më i qartë në konferencë me Kurtin, dha edhe dy deklarime shumë të forta, jo të dëgjuara më parë. Sipas tij “Kosova duhet të jetë më e vetëdijshme për implikimet rajonale që i ka dialogu në Bruksel” duke theksuar kështu faktin se është e “rëndësishme që Prishtina të rreshtohet me vlerat evropiane në këtë kohë krize”.

Megjithatë, emisari special i ShBA-ve, rezervimet e tij që mund t’i ketë pasur gjatë konferencës, i shprehu gjatë një interviste në mediumin Kanal10.

Propozimin franko-gjerman SHBA-të e mbështesin plotësisht

Ai ka deklaruar se ShBA-të e mbështesin plotësisht propozimin e fundit franko-gjerman, i publikuar me 18 shtator ekskluzivisht në Albanian Post.

Po ashtu, bëri thirrje që Kosova dhe Serbia ta marrin shumë seriozisht propozimin e përpiluar pas angazhimit të Emmanuel Bone nga Presidenti i Francës dhe Jens Plotner, nga kancelari gjerman.

“Propozimi ynë është që çkado që këto shtete evropiane sugjerojnë nëpërmjet dialogut, duhet të merret seriozisht. Ne do ta mbështesim këtë”, theksoi Escobar.

Për ShBA-të, propozimi franko-gjerman “do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht Serbisë, në integrimet euro-atlantike”.

Cili është propozimi franko-gjerman?

Aty thuhet se në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

Njohja nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, më e rëndësishmja

Diplomati amerikan shtoi se ShBA-të gjithmonë e kanë përkrahur njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran dhe siç u shpreh ai “do ta mirëprisnim në OKB dhe në të gjitha strukturat tjera evropiane”.

Gjithashtu, ai vlerësoi se Serbia do ta njohë Kosovën në një fazë më vonë, mirëpo për  emisarin special, më e rëndësishme është që Kosova “të nisë një rrugëtim më të qëndrueshëm drejt integrimit në strukturat euro-atlantike, duke përfshirë njohjen nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së”.

“Kjo është më e rëndësishmja që mund të nxirrni nga çkado tjetër në proces”, nënvizoi ai.

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, çështje javësh

Duke komentuar afatet e përfolura ditëve të fundit se një marrëveshje e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë do të arrihet shpejtë, Escobar ka thënë se u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesit që të vendosin afate kohore, por, siç vuri në pah ai “duhet të jetë e shpejtë”.

“Unë i kam dëgjuar kolegët e mi evropianë të flasin se kjo është çështje javësh dhe jo vitesh për një marrëveshje, për rrugën përpara”.

Sipas tij, të gjitha palët e përfshira në dialog duhet të kryejnë detyrat që iu takojnë.

“Duke marrë parasysh kontekstin e asaj që po ndodhë, secili duhet të marrë përgjegjësi për të krijuar stabilitet, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon.”

Asociacioni veç sipas Kushtetutës së Kosovës

Escobar duke folur për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, përkundër deklarimeve të krerëve institucionalë në Kosovë se Asociacion s’do të ketë, ai ua ka kujtuar atyre se “është një zotim që tashmë ekziston, mendoj se është një zotim i rëndësishëm dhe që duhet të përmbushet”.

“Në mëngjes fola me presidenten për mënyrat e ndryshme se si Kosova mund ta krijojë Asociacionin që të jetë situata fitues-fitues sikurse për komunitetin në veri ashtu edhe për vetë Kosovën”.

“Por gjëja më e rëndësishme është që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duhet t’u përmbahet ligjeve të Kosovës dhe nuk duhet të ndikojë në funksionalitetin e Kosovës”.

Ai thotë se ka shumë opsione dhe modele evropiane “që mund t’i shohim bashkë dhe që do ta bënin një mundësi reale”.

“Por, do të donim ta shihnim duke u zbatuar”.

Edhe dhjetë muaj të tjerë për konvertimin e targave serbe në ato RKS

Escobar, sikurse ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka kërkuar që të shtyhet afati prej një muaji i paraparë nga Qeveria e Kosovës për konvertimin e targave ilegale me akronime si KM, PZ, e të tjera, në ato RKS.

“Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit, dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë”.

Gjithashtu, ai ka pohuar se për shtyrjen e këtij vendimi nuk morën zotim nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

“Jo, nuk e morëm”, u përgjigj shkurt ai, “prandaj, ende po e pres këtë. E di që do të ketë edhe të tjerë zyrtarë nga QUINT-i që do të vizitojnë (Kosovën), zoti (Miroslav) Lajçak do të jetë këtu. Dua të sigurohem që njerëzit që janë të përfshirë në negociata të dëgjojnë një përgjigje pozitive për këtë.”

Kujtojmë se numri i serbëve të cilët kanë përfillur kërkesën e Qeverisë së Kosovës për të konvertuar targat e tyre në ato RKS, mbetet një shifror.

Ekzistojnë kërcënime për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor

Diplomati amerikan ka folur edhe për ndikimin dashakeq të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, por jo vetëm.

“Kërcënimet vijnë në forma të ndryshme, politike, sociale dhe së fundi kibernetike. Prandaj, duhet t’i identifikojmë dhe t’i izolojmë këto kërcënime nga ndikimet e këqija nga jashtë, që vijnë drejt partnerëve tanë”.

Tashmë nuk është sekret se Rusia ka kohë që po bën fushatë ndaj kombeve të vogla ballkanike, për t’i nxjerrë ato nga kursi perëndimor dhe eventualisht për të krijuar kushte që në pushtet të vinë forcat pro ruse, e diku tjetër të provokohen trazira që prodhojnë destabilizim.

ShBA-të e përkrahim punën e Gjykatës Speciale

Në fund të intervistës, Escobar në pika të shkurta foli për Gjykatën Speciale e cila po mban në paraburgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke pohuar se ShBA-të e përkrahin punën e saj.

“Unë besoj se çdo herë e më shumë krimet e kryera në vitet ’90 duhet të trajtohen nga autoritetet vendëse, në mënyrë të drejtë dhe proces të duhur”, u shpreh fillimisht ai dhe shtoi se “ende ka nevojë për Gjykatën Speciale dhe mekanizmat që e përkrahin këtë organizëm”.

Emërtimi i Gabriel Escobar-it në rolin e Emisarit Special për Ballkanin Perëndimor, e ka bërë të qartë politikën e administratës së Presidentit të ShBA-ve, Joe Biden, se kujdesi ndaj Ballkanit Perënsimor me theks të veçantë dialogun Kosovë-Serbi, nuk do të mungojë.

Amerikanët kanë insistuar prej kohësh që dialogu mos të përkufizohet në çështje teknike, si përshembull në çështjen e targave, pasi ato janë parë si dytësore karshi problemeve më të mëdha.

ShBA-të kanë intensifikuar punën për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi,  duke shfaqur një interesim më të madh në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje përfundimtare mes të dyja vendeve.

Ndryshe, pas vizitës në Prishtinë, të enjten e 20 tetorit, Escobar pritet ta takojë edhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Beograd.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore