Kosova

“Merrnin turr, e shtynë fizikisht, donin t’ia konfiskonin telefonin”, Këshilltarja e Osmanit rrëfen incidentin në aeroportin e Shkupit


Donika Kada-Bujupi dhe Vjosa Osmani

Donika Kadaj-Bujupi, këshilltare e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka treguar detaje për incidentin që ka ndodhur me të parën e vendit në aeroportin e Shkupit, ku i është kërkuar, siç kanë deklaruar nga presidenca, telefoni dhe është shtyrë fizikisht.

Kadaj-Bujupi, e cila ka qenë së bashku me Osmanin në momentin e kësaj ngjarje, demantoi mediat maqedonase të cilat raportonin se presidentja ka refuzuar që të dorëzojë valixhen, pasi bëri me dije se ajo s’ka pasur fare valixhe, por vetëm çantë të dorës, ku i mban gjërat personale.

Madje, ajo tregoi se e para e vendit, ndonëse me praktika ndërkombëtare nuk lejohet kontrollimi, e ka futur në skaner çantën e saj personale.

“Po pretendojnë se presidentja Osmani, ka refuzuar të fus valixhen në skaner. Presidentja nuk ka pasur fare valixhe. Isha aty, ishim bashkë, nuk ka pasur valixhe fare. As valixhe të vogël, as çantë. E një madhësie të tillë (derisa tregonte çantën e saj personale), çantë të dorës me gjërat personale”, tha Kadaj-Bujupi për në një intervistë për “Klan Kosova”.

“Këtë çantë e kishte me vete, në momentin që u futëm në aeroport, në kundërshtim me Konventën e Vjenës, presidentes iu kërkua ta skanojë edhe çantën e dorës. Policia e Kosovës që ishte në nivel të detyrës ua shpjegojë, që presidentes sipas praktikave ndërkombëtare, duke nisur nga Amerika e vendet jo-njohëse, e të gjitha vendet e BE-së, nuk i kërkohet të skanohet çanta e dorës. Është çantë diplomatike as nuk skanohet as nuk preket me dorë, kur ajo e posedon. Kështu thonë konventat ndërkombëtare”, shtoi.

Përkundër këtij sqarimi, ajo theksoi se e kërkuan çantën personale dhe presidentja “e lëshoi çantën në skaner dhe u skanua.

Sa i përket raportimeve të tjera në lidhje me “valixhen” pretenduar, këshilltarja e Osmanit potencoi se “këto janë propaganda ruso-serbe”.

Mirëpo, pas skanimit të çantës, ajo tregoi se presidentes iu kërkua edhe që të dorëzojë telefonin.

Ky moment shënoi edhe kulimin e tensioneve, pasi që sigurimi i aeroportit tentoi edhe dhunë fizike ndaj presidentes.

“Në momentin kur është skanu çanta, nuk ka pasur asnjë lloj dyshimi. Me vullnetin më të mirë presidentja as dy fjalë nuk i ka bërë, e ka skanuar çantën”, tha ajo.

“Presidentja e mban telefonin në dorë, sipas të gjitha protokolleve të sigurisë, është mjet pune, që diskutohen edhe temat e sigurisë, dhe në asnjë mënyrë, për asnjë çmim, pavarësisht tendencave, presidentja nuk e dorëzon telefonin”.

“Refuzoi me dorëzu telefonin në skaner”, vuri në pah ajo, “dëshironin me konfisku telefonin”.

“Fizikisht, me trup, merrshin turr, e kanë shtyrë fizikisht, tentuan me ia marrë telefonin, me ia konfisku. Është skandaloze, është shokuese. Kurrë në 20 vjet të karrierës time në udhëtime që kemi pasur, nuk ka ndodh një përpjekje e tillë që fizikisht me ta konfisku”.

Përkundër insistimit të palës maqedonase, Kadaj-Bujupi tregoi se presidentja refuzoi ta bëjë një gjë të tillë.

“Në atë moment reaguan policët e Kosovës. Ishte në nivelin më të lartë të detyrës, reaguan me trupat e tyre e mbrojtën Presidenten dhe Republikën. Ajo e përfaqësonte shtetin, ky është sulm ndaj shtetit. Policia e Kosovës e kreu punën e vet në mënyrë profesionale”, deklaroi.

Pas ndërhyrjes, Kadaj-Bujupi nënvizoi se Policia e Kosovës e ka tërhequr presidenten dhe e ka vendosur në zonën VIP.

Ajo mohoi të jenë nxjerrë armët nga autoritetet kosovare.

“Absolut. Jo, jo. Veç fizikisht e kanë larguar sigurimin, e kanë tërheq presidenten, e kanë larguar me duar sigurimin, dhe e kanë dërguar në VIP. Presidentja udhëtoi sipas asaj që është paraparë”.

Pas kësaj, këshilltarja e Osmanit ka shpjeguar se kanë ardhur njësitet tjera dhe i kanë bërë me dije zyrtarëve të aeroportit se kanë bërë shkelje.

“Ekipi jonë nuk u përfshi më pastaj. Njësitet e Maqedonisë ua bënë të ditur se kanë gabuar. Përgjegjësia e krejt këtij zhvillimi bie mbi Qeverinë e Maqedonisë, ata janë përgjegjës të zbatojë Konventa e Vjenës në momentin kur presidentët vizitojnë këtë vend”.

Po ashtu, ajo bëri me dije se kanë kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që të procedojë të gjitha shkresat zyrtare, “të thërret në përgjegjësi autoritetet e Maqedonisë së Veriut përmes kanaleve zyrtare”.

Në një reagim të së premtes, nga aeroporti i Shkupit, përkatësisht kompania që e ka nën menaxhim, kanë theksuar se janë udhëzuar nga Ministria e Punëve të Brendshme maqedonase që ta kontrollojnë presidenten Osmani.

Në reagim e tyre, ata edhe e mohuan që kanë tentuar t’ia marrin telefonin presidentes Osmani.

“Ne i hedhim poshtë kategorikisht akuzat se punonjësi ynë nga departamenti i sigurisë ka tentuar të marrë telefonin. Telefoni i është kërkuar për t’iu nënshtruar kontrollit (skriningut) të detyrueshëm të sigurisë përmes aparatit me rëntgen”, thanë nga aeroporti i Shkupit.

Ndërsa, koalicioni “VLEN”, përfaqësuesit e shqiptarëve në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut nëpërmjet një komunikate për media kanë potencuar se Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kompetencë mbi sigurinë e aeroportit.

Kjo ngjarje është cilësuar si një skandal diplomatik, derisa ka pasur reagime të shumta si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni të Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore