Lajme

Merr fund pritja për Alfa Romeo Tonale, debuton më 8 shkurt


E shumëpritura Tonale, makina elektrike sportive, të cilës i është besuar rihapja e markës Alfa Romeo, pritet të debutojë në muajin shkurt dhe të dalë në rrugë në qershor.

Pritja për të do të marrë fund më 8 shkurt. Kështu ka konfirmuar prodhuesi i saj përmes faqes zyrtare të internetit.

Si modeli i parë i elektrifikuar i kompanisë, makinës Tonale i është lënë pesha për të riprezantuar markën historike italiane, e cila debuton në segmentin e makinave sportive me modelin e parë të elektrifikuar.

Madje, kjo shfaqet edhe te titulli i prezantimit të saj të quajtur “Metamorfoza”, duke treguar rrugën drejt një të ardhmeje gjithnjë e më elektrike.

E përditshmja italiane “Corriere della Sera” zbulon se Alfa Romeo Tonale do të mbështetet në një version të avancuar të platformës Compass, të përgatitur për hibridët.

Ndërkaq, motori do të jetë i vendosur në një pozicion tërthor dhe do të jetë i disponueshëm si në lëvizje përpara ashtu edhe në të gjitha gomat.

Për garantimin e cilësive më të mira dinamike, shasia mësohet se është rishikuar plotësisht dhe se do të ketë edhe një njësi hibride me një bateri të jashtme të rikarikueshme që kombinon një njësi 1.3 turbo benzine me një njësi elektrike.

Për të parën herë,  kompania Alfa Romeo e shfaqi idenë e saj për elektrifikimin në Panairin Ndërkombëtar të Motorëve në Gjenevë 2019, duke zbuluar konceptin e makinës elektrike Tonale.

Përmes kësaj makine të re, Alfa Romeos dëshiron të rishkruajë rregullat e segmentit aktualisht në rritje, falë veçantisë së stilit italian dhe kënaqësisë së vozitjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore