Shqipëria

MEPJ: 20 shqiptarë kthehen nga Izraeli në Athinë, 17 prej tyre nisen drejt Shqipërisë


Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë njoftoi se 20 shtetas shqiptarë kanë udhëtuar mëngjesin e 12 tetorit nga Izraeli për në Greqi përmes një fluturimi të linjave ajrore greke, të koordinuar nga diplomacia shqiptare.

17 prej tyre pasi kanë mbërritur në Athinë janë nisur drejt Shqipërisë në rrugë tokësore dhe po transportohen për në qytetet ku ata jetojnë dhe banojnë, si: Tirana, Gjirokastra, Korça dhe Vlora, nën kujdesin e MEPJ-së.

Lajmi u bë i ditur nga diplomacia shqiptare, duke cituar njoftimin zyrtar për shtyp.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha Ambasadat edhe me ministritë e vendeve të tjera të rajonit për t’i ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre”, vëren njoftimi i ministrisë.

MEPJ-ja deklaroi të martën e 10 tetorit se 11 shtetas shqiptarë kanë udhëtuar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga Izraeli për në Shqipëri përmes një fluturimi të organizuar nga Mali i Zi.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme vijon të shohë të gjitha mundësitë dhe është në kontakt edhe me ministritë e vendeve të tjera të rajonit për t’i ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre”, shtoi ajo në deklaratën e saj.

Mbrëmjen e 8 tetorit do të mbërrinte avioni i parë me qytetarë shqiptarë të cilët kanë kërkuar të largohen nga Izraeli pas shpalljes së gjendjes së luftës.

Avioni “Air Albania” me 40 pasagjerë, mes të cilëve edhe shtetas nga vendet e rajonit si Kosovë, Maqedonia e Veriut, të ndihmuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Ambasada Shqiptare në Izrael është ulur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” pak më parë, njoftonte diplomacia shqipare.

Pasagjerët u pritën dhe përshëndetën nga kryediplomati Igli Hasani.

MEPJ-ja pohon sakaq se në ditët në vijim do të ketë sërish të tjera fluturime të posaçme drejt Tel Aviv, ndërkohë që diplomacia shqiptare është në koordinim edhe ministritë simotra të vendeve të rajonit për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre.

Autoritetet shqiptare dënojnë njëzëri sulmin terrorist në rajonet jugore izraelite

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore