Lajme

“Mendova se transplantimi i zemrës së derrit ishte çmenduri”


Pas operacionit, personi i parë në botë që ka marrë zemrën nga një derr i modifikuar gjenetikisht, po jeton “shumë mirë” dhe “pa komplikacione”.

Këtë e ka bërë të ditur i biri, David Bennett Jr, të mërkuren e 12 janarit, jashtë Universitetit të Maryland-it.

Një 57-vjeçar është bërë personi i parë në botë që i është vendosur zemra e një derri të modifikuar gjenetikisht.

Sipas mjekëve në Baltimore, operacioni ka zgjatur shtatë orë dhe pacienti David Bennett është në gjendje të mirë shëndetësore.

Transplanti u konsiderua si shpresa e fundit për t’i shpëtuar jetën Bennett-it, megjithëse nuk është ende e qartë se cilat janë shanset e tij afatgjata për të mbijetuar.

“Ose vdis, ose bëje këtë transplant”, ishin fjalët që iu thanë atij një ditë para operacionit.

“E di që është një goditje në errësirë, por është zgjedhja ime e fundit”, u shpreh ai.

Mjekëve në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Maryland-it iu dha një shpërblim i veçantë nga rregullatori mjekësor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të kryer procedurën, me teorinë se nëse nuk bëhej, Bennett do të ishte i vdekur.

Ai ishte konsideruar i papërshtatshëm për një transplant njerëzor, vendim që shpesh merret nga mjekët kur pacienti është në gjendje shumë të keqe shëndetësore.

Për ekipin mjekësor që kreu transplantin, ai shënon kulmin e viteve të kërkimit dhe mund të ndryshojë jetën në mbarë botën.

Ndërkaq, kirurgu Bartley Griffith tha se operacioni do ta sjellë botën në “një hap më afër zgjidhjes së krizës së mungesës së organeve”.

Këtë e bëri të ditur përmes një njoftimi të Shkollës së Mjekësisë të Universitetit të Maryland-it.

Kjo krizë do të thotë që 17 njerëz në ditë në SHBA vdesin në pritje të një transplanti, me më shumë se 100 mijë në listën e pritjes.

Mundësia e përdorimit të organeve të kafshëve për të ashtuquajturin “ksenotransplantim” për të plotësuar kërkesën është konsideruar prej kohësh dhe përdorimi i valvulave të zemrës së derrit është tashmë i zakonshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore