Kosova

Menaxhmenti i “Trepçës” largon 13 minatorë nga puna


Ilustrim

Kompleksi metalurgjik “Trepça”, të enjten, ka larguar nga puna përkohësisht tre punëtorë.

F.B, H.M dhe Sh.S, janë larguar përkohësisht nga puna me vendim të Ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit ekzekutiv, Faton Ahmeti me arsyetimin se kanë kryer shkelje të rënda të detyrave të punës.

“Për shkak se të njëjtit kanë kryer shkelje të rënda të detyrave të punës nga neni 10 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, 1.5, 1.13 dhe 1.52 të Rregullores nr.prot:2906 të datës 30.7.2020 për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A”, thuhet në arsyetim

Megjithatë këto largime nuk janë të vetmet – në javët e fundit menaxhimenti i Trepçës ka larguar nga puna edhe 10 punëtorë të tjerë.

Të mërkurën ndërmarrja publike “Trepça” ka larguar nga puna edhe F.S, pasi siç thuhet në njoftim, është vërtetuar se i njëjti ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës.

Më 20 gusht ndërmarrja publike “Trepça” i ka shqiptuar masën disiplinore “ndërprerje e marrëdhënies së punës edhe punëtorit me iniciale K.M, A.P. dhe B.M.

Komisioni Disiplinor i ndërmarrjes së Trepçës ka vërtetuar se të njëjtit “kanë kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës”.

Marrëdhënia e punës, të hënën e 19 gushtit i është ndërpre edhe punëtorëve M.Z, B.M, A.B, A.N.

Komisioni Disiplinor, sipas ndërmarrjes publike “Trepça”, ka vërtetuar se të njëjtit kanë kryer “shkelje të rëndë të detyrave të punës nga neni 10 paragrafi 1 nën paragrafi 1.27 i Rregullores”.

Ndërkaq më 16 gusht është larguar nga puna përkohësisht punëtori me iniciale Xh.T.

Sipas ndërmarrjes publike i njëjti është larguar nga puna përkohësisht për “përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtore të Trepça Sh.A”.

Ndërkohë me 8 gusht marrëdhënia e punës i është ndërprerë punëtorit me iniciale E.P.

Komisioni Disiplinor i ndërmarrjes publike ka vërtetuar se i njëjti ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës.

Në anën tjetër Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka thënë se minatorët të cilëve së fundi iu është shkëputur marrëdhënia e punës nga menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça Sh.A, vetëm se kishin dhënë dorëheqjet e tyre nga puna në këtë institucion.

Në reagimin e lëshuar thuhet se se ndërprerja e marrëdhënies së punës për këta persona nuk ka të bëjë fare me shprehjen pakënaqësive përmes protestave apo ndonjë hakmarrje në drejtim të paknaqësive të tyre.

“Menaxhmenti thjeshtë e ka zyrtarizuar dorëheqjen e atyre, të cilët veç se janë larguar me dëshirën e tyre nga ndërmarrja qoftë duke emigruar apo punësimit të tyre diku tjetër, apo edhe ka zbatuar procedurat ligjore për personat që janë në ndjekje penale”, thuhet në njoftim.

Për më shumë se dy muaj minatorët e kompleksit metalurgjik “Trepça”, nuk arritën t’i marrin pagat,

Për shkak të mungesës së financave, Albanian Post raportoi se minatorët kishin gjendje të rënduar psikologjike e financiare.

Pas kësaj gjendjeje të krijuar Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të radhës më 14 gusht mori vendim që të ndahen mbi 4 milionë euro për ndërmarrjen publike “Trepça”.

“Për ndërmarrjet publike do të ndajmë 4 milionë euro dedikuar për mbështetjen ndaj Trepçës, në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale ku ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë pagat. Duket se ka shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, kishte thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore