Kosova

Meloni e Osmani bëjnë pasqyrë të dialogut Kosovë-Serbi


Giorgia Meloni dhe Vjosa Osmani

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, është takuar me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën kanë biseduar për rrjedhën e procesit të dialogut me Serbinë.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Meloni përmes një postimi në platformën X, derisa takimi është zhvilluar në margjinat e Samitit Bashkim Evropian dhe Ballkan Perëndimor, që u mbajt të mërkurën në kryeqendrën evropiane, Bruksel.

“Takimi ofroi mundësinë për të bërë një pasqyrë të dialogut Prishtinë-Beograd të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka shkruar Meloni.

Ndërsa, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një deklaratë për media pas Samitit Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, nga Brukseli ka thënë se Kosovës dhe Serbisë u është kërkuar zbatimi i obligimeve që kanë marrë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Unioni, derisa marrëveshjen e Ohrit e ka konsideruar si hap të rëndësishëm që e kanë bërë palët.

“Si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, është rruga përpara dhe përmbushja e angazhimeve në kuadër të dialogut të BE-së. Ata kanë bërë hapa të rëndësishëm përpara këtë vit me marrëveshjen e Ohrit, e cila tani duhet të zbatohet dhe e mirëpres shumë uljen e tensioneve në Veri të Kosovës në veçanti për rrymën dhe përgatitjen për zgjedhje të parakohshme komunale”, ka deklaruar Von der Leyen.

Von der Leyen: Kosova dhe Serbia t’i përmbushin angazhimet e marra nga dialogu

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore