Lajme

Meksikë, vijon vrasja e gazetarëve në krye të detyrës


Një gazetar tjetër është vrarë në Meksikë, duke e çuar numrin në katër vetëm brenda një muaji.

Roberto Toledo, një avokat 55-vjeçar që bashkëpunoi me gazetën “Monitor Michoacán”, u qëllua për vdekje nga tre burra, në një zonë parkimi nga zyra e avokatisë, ku ai punonte.

Vdekjen e tij e ka konfirmuar drejtori i gazetës, Armando Linares.

“Një nga kolegët tanë humbi jetën sepse tre persona erdhën dhe e qëlluan në mënyrë të neveritshme, në mënyrë frikacake”, tha Linares.

Veracruz-i ka qenë prej vitesh një nga qytetet më vdekjeprurëse të Meksikës për gazetarët.

Qeveria meksikane ka publikuar një raport, ku tregohet se të paktën 68 aktivistë të të drejtave të njeriut dhe 43 gazetarë janë vrarë, që kur presidenti Andres Manuel Lopez Obrador erdhi në detyrë në fund të 2018-ës.

Këto statistika të fundit kanë bërë që kritikët të pyesin nëse qeveria po bën sa duhet për të mbajtur premtimin e saj për të mbrojtur jetën e gazetarëve dhe aktivistëve në Meksikë.

Çfarë po bëhet për të mbrojtur gazetarët dhe aktivistët?

Qeveria meksikane aktualisht po ofron siguri dhe mbrojtje për 1 mijë e 478 njerëz në të gjithë vendin.

Sipas qeverisë, programi “është një garanci e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të organizuar nga shteti meksikan për të mbrojtur jetën, integritetin, lirinë dhe sigurinë e atyre që praktikojnë gazetari, mbrojnë të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes”.

Qeveria tha se kishte rritur numrin e njerëzve të mbrojtur nën program me 80% që nga dhjetori i 2018-ës.

Zyrtari qeveritar theksoi gjithashtu se kishte siguruar 783 milionë pesos (39.5 milionë dollarë) në program midis 2019 dhe 2020.

Presidenti meksikan, Lopez Obrador, tha se qeveria është “duke punuar çdo ditë për të shpëtuar jetë” si pjesë e dëshirës për “drejtësi dhe mbrojtje të jetës së meksikanëve”.

Jose Miguel Vivanco, anëtar i Human Rights Watch, kritikoi vërejtjet e presidentit në median e tij sociale Twitter.

“Edhe një herë, Lopez Obrador jo vetëm që s’kualifikon raportet e aktivistëve të vrarë si propagandë, por na siguron se qeveria e tij po i mbron ata”, ka shkruar ai.

Sipas tij, presidenti nuk përmend faktin që në vitin 2020, qeveria e tij hoqi financimin për mbrojtjen e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore