Lajme

Mehaj: Vendimet e Samitit të NATO-s në Madrid, shpresë për botën e lirë


Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, është shprehur se vendimet e marra në Samitin e NATO-s në Madrid janë shpresë për botën e lirë dhe demokratike.

Mehaj, përmes një shkrimi në “Facebook”, ka thënë se Kosova, institucionet, populli e ushtria e saj besojnë në vlerat euroatlantike.

“Koha për Konceptin e ri strategjik të NATO-s. Koha për plan afatgjatë në sfidat e sigurisë në dimensionin global, si dhe përcaktimin dhe realizimin e plotë të detyrave politike dhe ushtarake të NATO-s. Koha për të emëruar qartë kërcënuesit afatgjatë për të gjithë zonën euro-atlantike, aty ku natyrshëm është edhe Kosova dhe populli i saj”.

Tutje, ai ka thënë se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë të bashkuara.

“Republika e Kosovës, institucionet, populli dhe ushtria e saj besojnë në vlerat euroatlantike dhe garantueses së saj – NATO-së. Republika e Kosovës dhe NATO janë natyrshëm të bashkuara. Rrugëtojmë së bashku për paqen, stabilitetin dhe sigurinë globale. NATO i duhet Kosovës! Kosova i duhet NATO-s!”.

Udhëheqësit e NATO-s janë mbledhur në Madrid më 28-30 qershor për një nga takimet me të shumëpritura që aleanca ushtarake ka mbajtur kohët e fundit.

Derisa Suedia dhe Finlanda synojnë të zhbllokojnë rrugët e tyre drejt anëtarësimit, NATO po forcon krahun e saj lindor dhe Ukraina, e goditur nga lufta, është e dëshpëruar për më shumë mbështetje ushtarake.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore