Kosova

Mehaj takon Stoltenberg: Diskutuam për situatën e sigurisë në Kosovë


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se është duke qëndruar në selinë e NATO-s, në kuadër të takimeve të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, ku është takuar edhe me Sekretarin Gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin ka biseduar për situatën e sigurisë në Kosovë, pas tensioneve të krijuara në Veri, si dhe pas kidnapimit të tre policëve nga xhandarmëria serbe.

Mehaj përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se “sot në Selinë e NATO-s në Bruksel jemi duke zhvilluar takimin e radhës në kuadër të Grupit të Kontaktit në Mbrojtje të Ukrainës, i cili drejtohet nga Sekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lloyd J. Austin III”.

“Gjatë këtij takimi edhe një herë kemi rikonfirmuar mbështetjen tonë për Ukrainën dh përkushtimin për ruajtjen e paqes në rajon dhe më gjerë”, shkroi Mehaj në Facebook.

Ndërkaq, ai njoftoi se në kuadër të kësaj ngjarje ka takuar edhe homologët nga vendet e ndryshme, por edhe Sekretarin Gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg, “me të cilin ndër tjera diskutuam edhe për situatën e sigurisë në Kosovë”.

Mund të jetë një imazh i 3 persona dhe teksti

“Republika e Kosovës është krahë për krahë me mbi 50 shtete të cilat mbështesin Ukrainën në të drejtën e saj të patjetërsueshme”, theksoi ai.

Ndryshe, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në kuadër të takimit të nëntë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës e ku kishin marrë pjesë 54 shtete, kishte takuar edhe Sekretarin e Përgjithshëm e NATO-s, Jens Stoltenberg.

Mehaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, thoshte se sekretarit Stoltenberg edhe njëherë ia ka shprehur gatishmërinë për strehimin e 5 mijë refugjatëve ukrainas dhe gjithashtu ofrimin e trajnimit për ushtarët ukrainas në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme.

“Si një shtet që jemi përballur me një agresor të tillë me mentalitet okupues e gjenocidal, e kuptojmë shumë mirë luftën e popullit ukrainas për liri, e gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm që ka faktori ndërkombëtar në këtë mes, ndihma  që mund të shpëtoj jetë e t’i jep fund terrorit”, shkroi Mehaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore