Kosova

Mehaj: Policia e Kosovës s’është thesar i asnjë partie politike


Policia e Kosovës gjegjësisht pjesëtarët e njësisë speciale, për ish-ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, nuk janë thesar i asnjë partie politike, por thesar shumë i çmuar i tërë i Kosovës.

Në një postim të gjatë në platformën sociale Facebook, Mehaj, ka përgëzuar pjesëtarët e njësive elitare të Policisë së Kosovës për punën e tyre treguar në Veri të Kosovës sidomos në rastin e Manastirit të Bansjkës duke thënë se “djemtë tanë na zbardhën fytyrën përpara krejt botës dhe treguan vlerën e vërtetë të tyre”.

“Si kalorësit e Skënderbeut, këta e shpëtuan atdheun nga rreziku dhe treguan cilësi, sinqeritet dhe respekt jo vetëm për popullin në rrezik, por edhe ndaj armikut terrorist”.

Ai në një farë mënyrë ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për pagat e dobëta që kanë pjesëtarët e këtyre njësive speciale brenda Policisë së Kosovës duke shkruar se “kur ju duhen na doni shumë, por kur nuk jeni në rrezik, thoni se edhe 600 euro janë shumë për pagë”.

“Nëpër botë vlera e përvojës, gatishmërisë dhe vendosmërisë së këtyre djemve tanë ka në dispozicion miliarda euro. Me fjalë të tjera, edhe 10 mijë euro rrogë në muaj nuk e shpaguajnë rolin e tyre tejet të rëndësishëm. Për më tepër, me nivelin e tyre profesional përgatitor që e kanë arritur kjo njësi policore –  disiplinë, përkushtim në detyrë, atdhedashuri, trimëri etj –  mund ti japin leksion të gjitha njësive më të mira në Botë”.

Chollet bisedon me Kurtin e Vuçiç-in, dënon sulmin e neveritshëm në Veri, veçon Serbinë për de-eskalim të menjëhershëm  

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Policia tha se katër sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur.

Edhe gjashtë persona të tjerë janë arrestuar, sipas autoriteteve të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiçin, nënkryetar të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiqi i armatosur në Banjskë.

Shtetet perëndimore kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore