Lajme

Mehaj përshëndet miratimin nga Senati amerikan të Projektligjit që i lejon Kosovës ushtrimet me forcat e SHBA-së


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka përshëndetur miratimin e Projektligjin e Mbrojtjes së vitit fiskal 2024 nga Senati amerikan, ku parashihet që edhe Kosova të jetë në listën e vendeve të Evropës Lindore që kualifikohen për trajnime ushtarake.

“Kaloi në Senat ligji që zgjeron autoritetin ekzistues të Departamentit të Mbrojtjes në ofrimin e mbështetjes për Kosovën përmes intensifikimit të ushtrimeve të përbashkëta, trajnimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si pjesë e stërvitjeve shumëpalëshe, duke kontribuar kësisoj në thellimin e bashkëpunimit në fushën ushtarake me ushtrinë amerikane”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Ministri Mbrojtjes falënderoi senatoren amerikane, Jeanne Shaheen, e cila kishte angazhim direkt në sigurimin e dispozitës që i lejon Kosovës stërvitjen me forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Vetëm përmes bashkëpunimit mund t’i kontribuojmë paqes së qëndrueshme”, beson Mehaj.

Ndryshe, Senati amerikan ka miratuar Projektligjin e Mbrojtjes së vitit fiskal 2024, ku parashihet që edhe Kosova të jetë në listën e vendeve të Evropës Lindore që kualifikohen për trajnime ushtarake.

Për miratimin e këtij projektligji senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, ka lëshuar një komunikatë ku tregon për ndihmën që ajo e ofroi “në sigurimin e një dispozite që do të zgjeronte një autoritet ekzistues për Departamentin e Mbrojtjes për të trajnuar forcat ushtarake partnere amerikane të Evropës Lindore si pjesë e stërvitjeve shumëpalëshe dhe do ta zgjeronte atë autoritet për të lejuar pjesëmarrjen e forcave ushtarake të Kosovës”.

“Përpjekjet e Shaheen janë veçanërisht të rëndësishme dhe në kohën e duhur mes përkeqësimit të kushteve të sigurisë në Veri të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, aty potencohet se senatorja Shaheen “kohët e fundit drejtoi një grup ligjvënësish dypartiakë [republikanë dhe demokratë] në një deklaratë të përbashkët duke kërkuar qetësi midis Kosovës dhe Serbisë në mes të kushteve shqetësuese të sigurisë midis dy kombeve”, kjo pas tensioneve të krijuara në Veri të Kosovës që nga 26 maji.

Ndërsa, bëhet me dije se seanca dëgjimore për Ballkanin Perëndimor në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit e muajit të kaluar ishte mbajtur pas insistimit të senatores Shaheen “për të avancuar legjislacionin e saj që do të promovonte bashkëpunimin midis SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor”.

Senati amerikan miraton Projektligjin që i lejon Kosovës ushtrimet me forcat e SHBA-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore