Lajme

Mehaj për zjarret në Greqi: Jemi të gatshëm për të ndihmuar brenda kapaciteteve tona


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për të ndihmuar shtetin e Greqisë e cila ditëve të fundit është përballur me zjarre të mëdha.

Mehaj përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’ ka thënë se do të ndihmojnë aq sa kanë kapacitete për të luftuar zjarret në këtë pjesë.

“Duke e shtrirë ndihmën tonë për Greqinë gjatë kësaj periudhe sfiduese të zjarreve. Ne jemi të përgatitur për të ofruar ndihmë brenda kapaciteteve tona për të luftuar zjarret dhe për të qëndruar pranë komuniteteve të prekura”.

Ai tutje është shprehur optimist për të kaluar edhe këtë sfidë.

“Solidariteti nuk njeh kufij dhe së bashku mund ta kapërcejmë këtë sfidë”, ka shkruar Mehaj.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria është e gatshme të ndihmojë në çdo mënyrë Greqinë e cila po përballet me zjarre të mëdha ditëve të fundit.

Ndryshe, beteja për të frenuar zjarret në të gjithë Greqinë është duke vazhduar për të tetën ditë radhazi, ndërsa zjarrfikësit përpiqeshin të shuanin flakët.

Me ndihmën e avionëve që hidhnin ujë, autoritetet punuan gjatë gjithë kohës për të zbutur zjarret e shumta.

Ndërsa kryeministri, Kyriakos Mitsotakis, tha se ishte e qartë se vendi ishte “në luftë me zjarrin”, përpjekjet po përqendroheshin në shuarjen e flakëve që shpërthyen në Korfuz, përveç Rodosit.

“Kjo betejë është e pabarabartë dhe do të vazhdojë të jetë e tillë për sa kohë që kushtet mbeten të vështira”, tha lideri i qendrës së djathtë në parlamentin grek.

Teksa ferret e ndezura nga era shpërthyen në tokën e djegur nga nxehtësia e madhe, autoritetet gjithashtu shtuan evakuimet, duke urdhëruar njerëzit të largoheshin nga hotelet dhe shtëpitë.

Gjatë natës, rreth 2 mijë e 466 qytetarë ishin larguar nga banesat në 17 fshatra përgjatë bregut verior të Korfuzit.

Pushuesit rrëfenin momentet e përfshira nga paniku të transportimit në fundjavë në mes të natës me kamionë të ushtrisë në plazhe përpara se të vendoseshin në anijet e marinës greke.

Ekspertët qeveritarë kanë planifikuar të fluturojnë në Rodos dhe rajone të tjera të goditura nga zjarri në ditët në vijim për të vlerësuar shkallën e katastrofës – që pritet të jetë jashtëzakonisht e kushtueshme – në mënyrë që të fillojë procesi i pagesave kompensuese.

Banesa të panumërta, biznese dhe parcela toke të punueshme besohet se janë humbur nga flakët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore