Kosova

Mehaj: Me buxhetin që kemi, i vështirë forcimi i ushtrisë


Armend Mehaj

“Është e domosdoshme që Ushtria e Kosovës të forcohet. Është e vështirë ta bëjmë këtë vetëm me buxhetin që e kemi”.

Kështu ka deklaruar Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, një ditë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të hapur Fondin e Sigurisë, ku qytetarët mund të deponojnë të holla për të kontribuar për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Atdheu ynë ka nevojë për ne, jam i bindur që do t’i përgjigjemi pozitivisht siç kemi bërë gjithmonë. Donacioni i secilit është i çmueshëm dhe i pa zëvendësueshëm”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Sipas Mehaj, Fondi i Sigurisë do të menaxhohet nga Ministria e Financave me transparencë dhe llogaridhënie të plotë.

“Ushtria jonë buron nga populli.  Ajo i shërben vetëm popullit dhe paqes! Vetëm së bashku mund të arrijmë qëllimin jetik – Ushtrinë tonë moderne dhe të pajisur sipas standardeve të NATO-së”, ka shtuar ai.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se është themeluar Fondi i Sigurisë, të cilën e ka quajtur domosdoshmëri pas agresionit rus në Ukrainë.

Pas lajmit, kanë filluar kontributet e para në këtë fond.

I pari i cili bëri të ditur se rrogën e muajit shkurt do ta kalojë në Fondin për Siguri që është themeluar nga Qeveria e Kosovës, ka qenë kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.

Muharremaj përmes një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se si ushtarak me profesion, por edhe si ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e konsideron se është momenti i duhur ta ndihmojë avancimin e ushtrisë së vendit.

Edhe deputetja Vasfije Kraniqi, përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka bërë të ditur se ka ndarë një shumë të caktuar për këtë fond.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore