Kosova

Mehaj: Ka tendenca të pengohet projekti i Fondit të Sigurisë


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se ka tendenca që projekti i Fondit të Sigurisë të pengohet.

“Jemi të vetëdijshëm se ky projekt i yni i përbashkët me ju, ka tendenca të pengohet për çka jemi të detyruar të ju rikujtojmë: Paratë tuaja deponohen përmes llogarisë zyrtare të Fondit të Sigurisë, në Bankën Qendrore të Kosovës”.

“Ky proces është nën mbikëqyrjen e Qeverisë përmes Ministrisë së Financave, respektivisht Thesarit të Shtetit, donacionet dhe shuma e mjeteve janë plotësisht mbi bazën e vullnetit tuaj të lirë, paratë depononi personalisht direkt në Fondin e Sigurisë, asnjë individ, grup, shoqatë apo iniciativë nuk është e autorizuar të mbledhë para në emër të Fondit të Sigurisë”, ka shkruar Mehaj.

Ai tutje ka falënderuar të gjitha ata që po dhurojnë donacione për FSK-në në kuadër të Fondit të Sigurisë.

“Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe gjithë ushtarakëve të FSK-së, ju shpreh mirënjohjen më të lartë për përgjigjen e jashtëzakonshme e të pritur, e cila po vazhdon pandërprerë, me donacionet tuaja për Fondin e Sigurisë”.

Mehaj, ka ftuar qytetarët që të vazhdojnë të kontribuojnë në këtë fond.

Qeveria e Kosovës.

“Prandaj, ju ftoj që të vazhdojmë së bashku me kontributet tona në Fondin e Sigurisë, për Ushtrinë tonë dhe të gjitha institucionet tona të sigurisë së vendit”, ka shkruar Mehaj.

Më 1 mars, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se është themeluar Fondi i Sigurisë.

Ai përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook, ka thënë se ky fond është bërë i domosdoshëm pas agresionit rus në Ukrainë.

“Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”, ka shkruar Kurti.

Kurti tutje ka sqaruar se funksionimi i këtij fondi do të rregullohet me akte përkatëse procedurale dhe do të përdoret ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria.

Ndërsa, më 2 mars, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka bërë të ditur se Thesari i Kosovës ka hapur një llogari zyrtare bankare për pranimin e fondeve të cilat dedikohen për siguri.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka ftuar qytetarët që të kontribuojnë me mjete financiare dedikuar sigurisë së Kosovës.

“Siguria jonë kurrë nuk ka nënkuptuar pasiguri për të tjerët. Përkundrazi, dje, sot dhe nesër, ishim, jemi e do të jemi siguri e mbrojtje për të gjithë, pa dallim”, tha Mehaj përmes një postimi në Facebook, duke shtuar se në ditët në vijim do të bëhen të ditura detajet e tjera se si qytetarët do të mund të kontribuojnë në këtë fond.

Ndryshe, buxheti që ka ndarë Qeveria e Kosovës për FSK-në në 2022 kap vlerën e mbi 100 milionë eurove.

Që prej vitit 2018, FSK-ja është në proces të transformimit në ushtri.

Ky proces është thënë se do të zgjasë dhjetë vjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore