Lajme

Mehaj: Hapet konkursi për rekrutimin e mbi 800 ushtarëve të rinj në FSK


Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj

Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, ka thënë se të enjten e 21 tetorit zyrtarisht hapet konkursi për rekrutimin e mbi 800 ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai në një konferencë për media ka thënë se Ministria e Mbrojtjes do të ofrojë transparencë gjatë gjithë procesit deri në pranimin e tyre.

“Sot zyrtarisht hapim konkursin për pranimin e 840 ushtarëve të rinj të forcës së Kosovës. Ky është konkursi për pranimin më të madh të numrit deri më tani. Ministria e Mbrojtjes të gjithë të interesuarve u garanton proces fer dhe do të jetë transparent në të gjitha rrethanat. Do të zbatohen të gjitha procedurat e kriteret ku do të zgjidhen më të mirët nga më të mirët”, tha ai.

Ai u ka bërë thirrje të rinjve të aplikojnë.

“Konkurroni pa hezitim sepse FSK është e gjithë qytetarëve të Kosovës në shërbim ndaj vendit dhe obligimit të përbashkët. Shërbimi në ushtrinë për vendin është detyrim i shenjtë, borxh dhe nder ndaj historisë sonë të dhimbshme dhe të lavdishme”, shtoi ai.

Ai ka folur për vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është takuar me zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Ai ka thënë se gjatë takimeve në SHBA ka marrë përkrahje të plotë, ndërsa është diskutuar për stërvitje të përbashkëta e po ashtu edhe për blerje ushtarake përmes programit FMS.

Ai ka potencuar se ka marrë mbështetje të fuqishme për Kosovën, nga Departamenti amerikan i mbrojtjes.

“Departamenti amerikan i mbrojtjes na ka konfirmuar fuqishëm përkrahjen për Kosovën si partner dhe eksportues për paqe në nivel global. Gjithashtu mora rikonfirmimin e plotë drejt integrimit euroantlantik si dhe ndërtimin e FSK-së në nivelin ushtarak”, ka thënë Mehaj.

Mehaj shtoi se në të gjitha takimet që ka pasur i ka shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit edhe më tje në të gjitha fushat.

“Ne do jemi përkrahë SHBA-së aty ku ka nevojë SHBA-ja”, ka thënë Mehaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore