Shqipëria

Mediu i kërkon GJKKO-së të kryhet një akt i ri ekspertimi ekonomiko-financiar për Gërdecin


Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka kërkuar pranë Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që të urdhërohet kryerja e një akt ekspertimi të ri ekonomiko-financiar, sa i takon dosjes Gërdeci.

Kjo, pasi sipas avokatëve të tij, akt ekspertimi i paraqitur si provë nga Prokuroria e Posaçme SPAK ka probleme.

Sipas raportimeve, kjo gjë nuk i është bërë me dije Mediut gjatë hetimit paraprak dhe ekspertët janë zgjedhur në mënyrë të njëanshme dhe ne kushte papërshtatshmërie.

Katër nga pesë ekspertët, në bazë të pretendimit, kanë qenë pa licencat përkatëse dhe kanë qenë nëpunës shtetërorë.

Më 2 maj ndërkaq, avokatët e Mediut kanë kërkuar që pyetja e pesë shtetasve amerikanë të bëhet përmes videokonferencës, pasi kjo do të ishte në të mirë të procesit dhe do të ndihmojë në zbardhjen e së vërtetës.

Amerikanët kanë ofruar si një mundësi, marrjen në pyetje të tyre nga agjentët e FBI. Avokatët kanë kërkuar autorizimin si ndërmjetës të gjeneral major Andrew Turley.

Në lidhje me kërkesën për pyetjen me videokonferencë, prokurorët kanë rënë dakord, por pritet vendimi i gjykatës.

Dëshmitë

Luan Hoxha ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një kabllogram që Ambasada Amerikane në Tiranë i ka dërguar Departamentit të Shtetit, në 20 qershor 2009, shkruhet se Hoxha ishte ankuar se Shkëlzen Berisha i kishte bërë presion që të dorëzonte municion të kalibrit të lartë në Gërdec dhe pa vonesa.

Kabllogrami u publikua nga Ëikileaks.

Më herët – në seancën e fundit të janarit – Mediu, u shpreh se të gjithë duhet të thonë të vërtetën për çështjen.

Ai shtoi se shpresonte që të gjithë të flisnin, ndërsa shtoi se ka edhe dëshmitarë që heshtin.

“Ky proces tregon se ministri i Mbrojtjes s’ka bërë asgjë tjetër veçse ka zbatuar ligjin. Nuk e di nëse do dëshmojë Luan Hoxha, shpresoj që të gjithë të vijnë të dëshmojnë dhe të flasin. Në interes të zbardhjes së vërtetës të mbajë qëndrimin e vetë siç e mendon dhe si ka vepruar”, u shpreh Mediu.

Ndërkaq, Shkëlzen Madani, ish-drejtor i shërbimeve mbështetëse në ministrinë e Mbrojtjes dëshmoi këtë seancë duke thënë se “Gërdeci u përcaktua nga palët dhe se transporti është përballuar nga privati”.

“Shkresa me siglimin për Shkëlzen Berishën u kalua në drejtorinë juridike”.

Ndërtimi i situatës

Deri më tani GJKKO ka pranuar gjykimin e shkurtuar për Mediun, i cili akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak.

Më 10 janar Mediu u mor zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme dhe deklaroi atë ditë se “i është prezantuar i njëjti fashikull, me të njëjtin prokuror, njëjtën akuzë pa shtuar asnjë dokument shtesë nga 2009”.

Ishte Gjykata e Lartë në Shqipëri, që më 28 tetor të vitit 2021 depozitoi në SPAK dosjen për ish-ministrin dhe do të ishte Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila do t’u hapte rrugën hetimeve.

Kjo pasi më 12 tetor bëri me dije se Mediu nuk është gjykuar më parë, për shkak të imunitetit të deputetit që zotëronte në atë kohë.

Më tej, bëhet me dije se afatet e parashkrimit janë respektuar, pasi Mediu është marrë i pandehur që në vitin 2009.

Nga ana tjetër, rënia e kushtit, tashmë, të imunitetit do t’i hapë dyert drejtësisë për të nisur gjykimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore