Shqipëria

Mediatori i Ballkanit


Zgjidhja e konflikteve me marrëveshje sigurisht që nuk është një traditë historike në Ballkan. Kompromiset, mirëkuptimet dhe ndërmjetësimet nuk janë opsione të zakonshme në një vend ku tensionet priren të rriten dhe jo të zbuten, bazuar në interesat politike dhe konkrete të vendeve të ndryshme.

Fuqitë perëndimore pothuajse gjithmonë duhej të ndërhynin nga jashtë për të imponuar një zgjidhje të konflikteve.

Për shembull, Serbia, që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë e ka vulosur pozicionin e saj në disfatë. Që prej viteve 90’ e në vazhdimësi deri më sot, në drejtimin e disa liderëve, nuk ka pasur kurrë kompromise dhe negociata të qenësishme, por gjithnjë ka kërkuar të përfitojë përmes krizave dhe tensioneve.

Shpërbërja e Federatës Jugosllave erdhi për shkak të përpjekjes së nacionalizmit serb për të imponuar hegjemoninë e tij në republikat e tjera.

Bombardimi i NATO-s i Jugosllavisë së vogël të Millosheviç-it ishte vetëm i fundit i konflikteve ballkanike të viteve 1990.

Që nga viti 1991 fillimisht – edhe pse shumë shkurt – u luftua në Slloveni, më pas radha e një lufte të përgjakshme në Kroaci dhe më në fund në Bosnje dhe Hercegovinë, një konflikt që zgjati më shumë se tre vjet (nga 1992 deri në fund të 1995), i cili shkaktoi të paktën 100 mijë vdekje dhe dy milionë refugjatë.

Së fundmi konflikti i Kosovës në vitin 1998, i cili rezultoi në ndërhyrjen perëndimore në mars 1999.

Ende sot përballja dhe shenjat e atij shkatërrimi i gjen në Bosnjë, me një Republikë Srpska gjithnjë e më pranë Beogradit zyrtar dhe Moskës apo në Mal të Zi ku sërish politikat pro serbe përballen me ato më pro evropiane.

Në këtë mes tensionesh shumë të larta nuk shpëton Maqedonia e Veriut (pas çështjes me Greqinë për ndryshimin e emrit dhe tensioneve të fundit me Bullgarinë për përfshirjen e pakicave etnike në kushtetutë), apo dhe vetë Shqipëria në lidhje me Greqinë për përcaktimin e kufijve detarë, çështje e cila nga qeveria shqiptare u vendos të shqyrtohet në Hagë përmes rrugës ligjore.

Lirimi i tre policëve kosovarë të rrëmbyer nga forcat serbe është vetëm akti i fundit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ku, tridhjetë vjet pas përfundimit të luftës, nuk ka asnjë shenjë të marrëveshjes dhe tensionet kanë filluar të rriten sërish në një përshkallëzim që nuk tregon shenja ndalimi.

Prishtina dhe Beogradi, duhet të ishin sot në pozita të tjera, por në realitet madje janë kthyer në pikën zero.

Dy liderët, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, duket se janë të angazhuar në një lojë ku fiton kush ngre zërin më shumë. Një qëndrim që shtyn pafundësisht nisjen e një rruge drejt marrëveshjejes së akorduar, gjë e cila po irriton thellësisht Brukselin dhe Uashingtonin.

Por le të kthehemi tek akti i fundit, pra lirimi i tre policëve nga Beogradi.

Duket se kryeministri hungarez Viktor Orban ka ndërhyrë si ndërmjetës në këtë aferë, por ka shumë zëra që përkundrazi ia atribuojnë meritën për këtë përparim diplomatik shqiptarit Edi Rama.

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, në një status në llogarinë e tij në Twitter shkruan “Një e vërtetë e pathënë në lirimin e policëve është roli i Ramës në koordinim të plotë me Grenell, njeri i afërt me Presidentin Trump. Kjo ka qenë edhe arsyeja e vizitës së tij në rajon! Kjo meriton falënderim të madh për secilin që ka kontribuuar për këtë rast”.

Së fundmi edhe vendet evropiane kanë konfirmuar te Rama rolin ndërmjetësues mes Prishtinës dhe Beogradit. Rama propozoi një projekt-marrëveshje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, e vlerësuar si nga kancelaritë evropiane, po ashtu edhe nga ajo amerikane.

Ndërkohë që lirimi i tre policëve kosovare nga Beogradi u bë kusht i raportit mes dy vendeve dhe ai prioritar për t’i hapur rrugën shtensionimit, nuk kanë munguar kritikat për vendimet provokuese të homologut të tij Albin Kurti ndaj Serbisë.

Të premten e 23 qershorit Rama do të deklaronte në një konferencë për shtyp se i ka dërguar letër, presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit të KiE-së, Charles Michel për të adresuar krizën rajonale dhe për të shtyrë drejt dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Ramës, është e domosdoshme që Macron dhe Scholz të ndërhyjnë dhe të shtyjnë zbatimin deri në fund të marrëveshjes bazë mes dy vendeve.

Kryeministri shqiptar propozoi në të njëjtin moment edhe një konferencë normalizimi nën kujdesin dhe trysninë e kumbarëve të marrëveshjes bazë për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

Propozimi vinte për një konferencë normalizimi pa të drejtë daljeje derisa të trajtohen ato pika që askush nuk i kundërshton, por për të cilat në të njëjtën kohë secili ia hedh fajin tjetrit. Gjë të cilën Rama e ravijëzoi edhe një herë gjatë konferencës me kreun e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell ditën e martë.

“Të dyja palët të mos ngrihen nga tryeza e dialogut, deri në nënshkrimin e një marrëveshjes së plotë të normalizimit, përfshirë natyrisht edhe dakordësimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës”, theksoi ai.

Të hënën e 26 qershorit, kryeministri shqiptar shkoi në Bruksel ku takoi presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel. Objekti i diskutimit kriza serioze Kosovë- Serbi dhe hapat e mëtejshëm për de-përshkallëzimin e saj.

Sipas tij, fatkeqësisht së fundmi të dyja palët i kanë sytë tek “fronti i politikës së brendshme dhe tek sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste”.

Kjo, “ndërsa dialogut jetik për të ardhmen e krejt rajonit dhe marrëdhënieve me botën demokratike u kanë kthyer kurrizin”, do të deklaronte kryeministri shqiptar pas takimit me Charles Michel.

Me prezantimin e draftit dhe ndërmjetësimit me Beogradin, pavarësisht çdo akuze, Rama në fakt i dha më shumë kohë Kurtit dhe Vuçiç-it për të zbutur tensionet dhe për të nisur rrugën drejt një marrëveshjeje të mundshme.

Reagimi ironik i kryeministrit të Prishtinës dhe polemikat e ngritura në frontin e brendshëm Berisha&CO, që akuzuan Ramën se “tradhtoi vëllezërit e tij në Kosovë”, rezultuan jo vetëm të pabaza, por edhe pasojë e një interpretimi që është i kundërt me realitetin.

Nëse Kosova ende nuk ka vuajtur nga sanksionet perëndimore për shkak të një politike të marrë të Albin Kurtit, kjo është edhe falë (dhe jo pak) ndërmjetësimit të kryeministrit shqiptar.

Nga ana tjetër, liderët perëndimorë prej kohësh e kanë caktuar dhe pranuar Edi Ramën si bashkëbiseduesin kryesor politik në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në krye të projektit Open Balkan (kundër të cilit akuzat nuk kanë munguar qoftë nga qeveria e Kosovës, qoftë nga opozita shqiptare), kryeministri shqiptar ka marrë drejtimin e lëvizjes për integrimin ekonomik dhe politik të vendeve të zonës drejt BE-së, pas një ngrirjeje dhe kalimi pothuaj në pasivitet të të ngjashmit “Proces të Berlinit”.

Pa dyshim në këtë rol Ramës i duhen njohur meritat e tij për të mbajtur marrëdhënie të mira ndërkombëtare brenda dhe jashtë Ballkanit.

Por i duhen njohur gjithashtu edhe Shqipërisë së pas regjimit, kjo dhe për faktin se është vendi më pak nacionalist në rajon dhe se priret gjithmonë të zgjidhë mosmarrëveshjet me vendet fqinje. Tirana në dekadat postkomuniste krenohet me një vazhdimësi të marrëdhënieve të shkëlqyera edhe me vende si Serbia dhe Greqia, përveç faktit që është partneri më besnik i NATO-s dhe BE-së (pa dritëhije pro-ruse) në zonë.

Dhe kjo është një trashëgimi që Rama përcjell nga paraardhësit e tij dhe e ka zhvilluar, duke e shfrytëzuar për maksimizim përfitimesh.

Zhvillimet e ardhshme në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës (dhe mes tyre dhe Perëndimit) do të tregojnë se sa peshë mund të ketë ende ndërmjetësimi shqiptar për të ardhmen e Ballkanit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore