Lajme

Mediat spanjolle: Spanja do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE


Flamuri i Kosovës dhe ai i Spanjës.

Përfaqësuesit e PSOE-së – partia socialiste e Spanjës, pjesë e të cilës është kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez – dhe ata të PP-së, pritet që të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, në seancën që do të mbahet javën e ardhshme.

Kështu të paktën ka raportuar agjencia e lajmeve “Europe Press”, e cila, për këtë, ka cituar burime brenda partive në fjalë.

Si pesë parlamentarët socialistë në KiE ashtu edhe të tre nga PP, gjithmonë sipas këtij raportimi, do të refuzojnë pranimin e Kosovës në KiE.

“Ne do të votojmë kundër, sepse vazhdojmë të mbajmë të njëjtat kritere për Kosovën”, kanë thënë burimet e medias nga PSOE, të cilët kanë konsideruar se tani “nuk është koha” për hyrjen e Kosovës në KiE, pasi që, siç pretendojnë ata, “mund të krijojë hapësira për konfrontim duke qenë se midis 46 vendeve anëtare të KiE-së, janë disa që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ndër to Spanja.

Raportohet se kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE, Spanja do të votojë edhe në Komitetin e Ministrave.

Duke cituar burime diplomatike, mediumi në fjalë ka shkruar se “Qeveria [spanjolle] vazhdon të mbajë pozicionin e mosnjohjes”, duke implikuar që kur të vijë koha, Ministri i Punëve të Jashtme, Jose Manuel Albares, do ta refuzojë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Ndryshe, Kosova, më 27 mars, kaloi edhe një pengesë drejt rrugës së saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ku aplikoi në maj të vitit 2022.

Të mërkurën e 27 marsit, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të KiE-së miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhej që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Nga 36 përfaqësues të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që morën pjesë, 31 votuan për, 4 ishin kundër miratimit të opinionit ndërsa një përfaqësues abstenoi.

Dy përfaqësues të Serbisë votuan kundër Kosovës. Për mos miratimin e opinionit votoi kundër edhe përfaqësuesi i Malit të Zi dhe ai i Bosnje e Hercegovinës.

Abstenues ishte përfaqësuesi i Greqisë në KiE.

Kosova ka përpara edhe dy faza të tjera para se të bëhet anëtare e plotë e kësaj organizate ndërkombëtare.

Pas votimit të 27 marsit në Paris, kërkesa për anëtarësim e Kosovës procedohet tutje në Asamblenë Parlamentare e cila pritet të mblidhet më 18 prill.

Në rast se edhe këtu Kosova siguron 2/3 e votave të nevojshme atëherë kërkesa e anëtarësimit të Kosovës në KiE i përcillet Këshillit të Ministrave.

Fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës do ta jap Këshilli i Ministrave të KiE-së gjatë një mbledhje që pritet ta mbaj në muajin maj të këtij viti – 2 vjet pasi Kosova dorëzoi zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare.

Votimi në Këshillin e Ministrave bëhet në dy nivele.

Në nivelin ministror Kosova duhet të sigurojë 31 vota nga 46 shtete që marrin pjesë në votim

Ndërsa në nivelin e zëvendës-ministrave duhet të sigurojë fillimisht një kuorum prej 31 përfaqësuesish dhe më pastaj votën unanime të tyre ( 31 përfaqësuesit duhet të votojnë për).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore