Mediat italiane thonë se Papa ofendoi homoseksualët në një takim me peshkopët
Brixhilda Xhuraj
28.05.2024 9:05Papa Françesku përdori një term nënçmues (homofobik) gjatë një takimi me peshkopët italianë, teksa përsëriti se homoseksualët nuk duhet të lejohen të bëhen priftërinj, sipas mediave italiane.
Gazetat “La Repubblica” dhe “Corriere della Sera” raportuan të hënën se Papa 87-vjeçar bëri vërejtjen nënçmuese në një takim privat një javë më parë, kur u pyet nëse homoseksualët duhet të lejohen të bëhen priftërinj.
Të dyja cituan Papën të thoshte se seminaret, apo kolegjet e priftërisë, janë tashmë shumë të mbushura me “frociaggine”, një term vulgar italian që mund të përkthehet afërsisht si “gay-llëk”.
Faqja e internetit “Dagospia” ishte e para që raportoi për incidentin e supozuar, që thuhet se ka ndodhur më 20 maj, kur Konferenca e Peshkopëve Italianë hapi asamblenë e saj katër-ditore.
Vatikani nuk ka komentuar mbi komentet e supozuara.
Që kur u bë Papë në vitin 2013, Françesku ka këmbëngulur që Kisha Katolike duhet të jetë e hapur për të gjithë, përfshirë komunitetin LGBTQ.
Vitin e kaluar, ai kritikoi ligjet që kriminalizonin homoseksualitetin dhe më vonë tha se priftërinjtë mund të bënin bekime për çiftet e të njëjtit seks në kushte të caktuara.
Ekspertët thonë se edhe aty ku legjislacioni nuk zbatohet, ai kontribuon në ngacmimin, stigmatizimin dhe dhunën ndaj personave LGBTQ.
Doktrina zyrtare në Kishën Katolike ende thotë se aktet e të njëjtit seks janë “të çrregulluara thellësisht”.