Sport

Mediat gjermane e bëjnë punë të kryer, Paqarada do të transferohet te Koln


Ish-mbrojtësi i Kosovës, Leart Paqarada, në sezonin e ardhshëm me shumë mundësi do të luajë në Bundesliga-n gjermane.

Për mbrojtësin kosovar është duke shfaqur interesim të vazhdueshëm skuadra e Koln, ku mediat gjermane raportojnë se do të lidhet një kontratë 3-vjeçare mes tyre.

28-vjeçari nga Kosova, është duke shfaqur paraqitje shumë të mira me skuadrën e tij St Pauli, i cili ka shënuar një gol dhe ka dhuruar katër asistime në 15 ndeshje.

Drejtori sportiv i Koln, Christian Keller, së fundi ka thënë fjalë të mëdha për mbrojtësin kosovar, i cili shpreson ta transferojë në ekipin e tij.

“Ai është mbrojtësi i majtë më i mirë në Bundesliga 2, do të më pëlqente shumë të luante me ne. Gjysma e ekipeve të Bundesligës po tentojnë ta joshin”, tha Christian Keller.

“Paqarada luan rregullisht prej vitesh, po flasim për një futbollist shumë inteligjent, i cili ka aftësi të mëdha teknike”, shtoi ai.

“Ka siguri të madhe në ndërtimin e ndeshjes dhe arrin të gjejë zgjidhje edhe kur është nën presionin e kundërshtarëve”, u shpreh drejtori sportiv i Koln.

Ndërkohë, Paqarada vazhdon të mos marrë ftesë na kombëtarja e Kosovës, që prej prishjes së marrëdhënieve me ish-trajnerin e Dardanëve, Bernard Challandes.

Ai kishte thënë: “Nuk do të luaj për Kosovën derisa Challandes të jetë trajner”.

Megjithatë, përkundër që në krye të Kosovës tani është Alain Giresse, Paqarada ende nuk ka marrë ftesë te Dardanët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore