Shqipëria

Mediat britanike ‘pre’ e ironisë shqiptare për Mbretëreshën Elizabeth: Kanë ulur çmimet për t’i ardhur në varrim


Vdekja e Mbretëreshës Elizabeth II ka shkaktuar përpos hidhërimit të madh të kombit britanik dhe shumë njerëzve anembanë botës, edhe një seri postimesh gazmore në rrjet, ku mes hilaritetit, janë përfshirë sigurisht edhe shqiptarët.

Prej kohësh, shqiptarët përfliten si klandestinët me numrin më të lart, të cilët kalojnë nëpërmjet kanalit të Le Manche përtej detit, nga Franca në Angli.

Për këtë arsye, shumë faqe në median sociale Tik Tok, janë “tallur” duke krijuar meme me këtë fakt dhe duke thënë se tashmë që Mbretëresha vdiq, biletat për kalimin e jashtëligjshëm të kufirit, do të përgjysmojnë çmimet.

“Kush do të marrë pjesë në varrimin e kësaj zonjës është ende në kohë. Kontaktoni me ne, 1 mijë e 900 euro, marrim edhe fëmijë në rrugët tona”, shkruan një postim satirik në Tik Tok.

Por, disa media britanike, kanë rënë pre e ironisë dhe nuk e kanë kapur thelbin e shakasë, duke ngritur një alarm serioz mediatik: Trafikantët shqiptarë po përdorin imazhin e Mbretëreshës për të promovuar kalimin e jashtëligjshëm të kufirit.

Kështu shkruajnë disa media britanike, mes të cilave edhe tabloidi “The Telegraph”.

Përdorimi i mediave sociale në fakt, për të trafikuar shqiptarët ilegalisht drejt ishullit, nuk ka qenë i pakët në kohë.

Ky gjithsesi, kurrsesi nuk është rasti…

Por, si të thuash, kur diçka bëhet trend (edhe për mediat britanike), disa lexime mbi këtë bazë nuk bëjnë asnjëherë keq…edhe kur janë keqinformuese.

Një mesazh, patjetër i duhet dhënë ndërkaq të gjitha prestigjiozeve, të cilat këtë lajm po e qarkullojnë: Askush nuk e përdhos imazhin e Mbretëreshës Elizabeth II në Shqipëri, për çështje trafikimi.

Në më të shumtin e rasteve, ndonjë statujë mund t’i ngrihet asaj në Has!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore