Lajme

Media serbe e afërt me Vuçiç-in: Ka tension në Bruksel, pas 2 orë bisedime palët kanë shkuar në pauzë


Besnik Bislimi, Miroslav Lajçak dhe Petar Petkoviç

Media e afërt me pushtetin në Serbi “Informer” shkruan se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Petar Petkoviç dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë shkuar në pauzë.

Duke u thirrur në burime brenda takimit, “Informer” bënë të ditur se pas dy orësh bisedime në Bruksel, negociatat janë ndërprerë përkohësisht dhe së shpejti pritet vazhdimi i dialogut trilateral.

Ndryshe, Lajçak përmes një cicërime në Twitter ka lajmëruar nisjen e takimit në Bruksel me Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviç’in.

Diplomati sllovak ka thënë se po shpreson sinqerisht që do të gjendet një zgjidhje për ta depërshkallëzuar tensionet, derisa shtoi se shpreson të punohet drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Bisedimet po vazhdojnë”, ka shkruar ai.

Takimi po zhvillohet dy ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u takuan të hënën në Bruksel por nuk gjetën gjuhë të përbashkët lidhur me çështjen e targave.

Disa orë përpara afatit të fundit, kur policia do të fillonte lëshimin e gjobave prej 150 eurosh, kryeministri Kurti, pranoi ta shtyjë vendimin për masën e gjobitjes edhe për 48 orë të tjera, duke thënë se ishte “i lumtur që punonte me SHBA-në dhe BE-në”.

Qeveria e Kosovës kishte filluar zbatimin e shkallëzuar të vendimit për targat më 1 nëntor – që përfshinin qortime, gjoba dhe më në fund konfiskime – duke shkaktuar protesta dhe dorëheqje masive të policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve serbë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore