Shqipëria

Medalje ari për notarin Gersi Troka në Lojërat Olimpike Speciale


Notari Gersi Troka është shpallur kampion në Lojërat Olimpike Speciale që po mbahen në Berlin.

Ai është vlerësuar me medalje ari pas një performance të shkëlqyer në garën 200 metra stil i lirë në not.

Dy ditë më parë, ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi njoftoi disa ndryshime në Ligjin për Sportin, të cilat lidhen me gjithëpërfshirjen dhe sportin paralimpik.

Ajo e quan këtë medalje të artë të kampionit Gersi Troka një arsye më shumë që vendimi për të përfshirë në Ligjin e Sportit mbështetjen për “Special Olympics” dhe “Paralympics” të bëhet realitet sa më parë.

“Zemra mal për kampionin tonë special Gersi Troka, i cili fitoi medalje ari në not në Lojërat Botërore Olimpike Speciale në Berlin”, ka shkruar ajo në mediat sociale.

Skuadra Olimpike Speciale Shqiptare përfaqësohet me 10 sportistë në Lojërat e Berlinit, 5 herë më shumë se në Lojërat paraardhëse.

Ata garojnë në disiplina të ndryshme si not, peshëngritje, basketboll e atletikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore