Shqipëria

Me Tavon Himara do të hapë një kapitull të ri, thotë Rama


Me Vangjel Tavon Himara do të hapë një kapitull të ri.

Kështu shprehet kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një takim me banorët e Himarës, ku është shfaqur me kandidatin socialist për zgjedhjet në atë bashki, Vangjel Tavo.

Rama theksoi se Tavo do të hapë një kapitull të ri zhvillimi, bashkëpunimi dhe bashkëjetese demokratike mes himariotëve.

“Vangjelët e gabuar do të mund të bëjnë plazh e banjo dielli, po s’do të kenë më shans të ndezin zjarre e nxijnë vetullat”, u shpreh Rama.

Nga Himara, kryeministri foli edhe për çështje të tjera, ku theksoi se “do të luftojmë më shumë informalitetin, sepse po të shohësh të ardhurat nga doganat, rritja e mallrave të konsumit është e jashtëzakonshme, por po të shohësh të ardhurat nga kjo rritje ka informalitet akoma”.

“Po bëjmë një sistem për gjurmimin e xhiros me fiskalizimit, duke shuar dhe inteligjencën artificiale. Do të detyrojmë që çmimet të vihen në hyrje, ta dimë çfarë paguajmë. Janë gjërat të thjeshta”.

Kryeministri theksoi se Tavo duke qenë njeri i fiksuar pas detaje, do të ndërtojë një dialog me operatorët, do të vendosen gjërat në vijë.

“Operatorët duhet të kuptojnë që ajo që i merr qytetit dhe t’i ia fsheh, nuk të ndihmon të rrisësh cilësinë e ofertës tënde sepse qyteti nuk i ka ato lekë për ta bërë më bukur”.

Turizmi është i vështirë – shtoi Rama – është konkurrencë e vazhdueshme, rritje e vazhdueshme.

“Je në një fushë me shumë të tjerë, jo vetëm brenda, por dhe shtet me shtet”, tha Rama.

Vetë Tavo, i cili ka shërbyer si ministër i Shëndetësisë dhe nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, ka pohuar se pronat janë një problem që nuk zgjidhet prej 34 vitesh, duke nënvizuar se si “kaluan qeveritë, ndryshuan qeveritë, deputetët ndryshuan dhe thanë gënjeshtrat e tyre dhe më në fund problemi filloi të zgjidhej kur unë u emërova prefekt i qarkut Vlorë, ​​kur filluam të japim tapitë – dhe nuk kemi dhënë pak”, ka vijuar ai.

Deri më sot, Tavo ka treguar se janë ndarë 1 mijë e 226 tituj dhe janë gati të ndahen edhe 600 të tjerë.

“Dosjet kanë mbërritur. Ne kemi vendosur objektivin që deri në fund të tetorit çdo himariot të marrë një titull pronësie. Më pas objektivi i radhës janë titujt e pronësisë në ferma”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore