Lajme

“Më në fund”, Von Cramon përshëndet vendimin e ShBA-së për Vulin-in, kërkon që ta ndjekë edhe BE-ja


Viola von Cramon

“Më në fund!”.

Kështu e ka përshkruar deputetja e Parlamentit Evropian nga radhët e të Gjelbërve, Viola von Cramon, vendimin e Departamentit amerikan të Thesarit për sanksionimin e drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandër Vulin.

Përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, eurodeputetja gjermane tha se Vulin “është bërë sinonim i korrupsionit, kukull e veprimeve të Rusisë dhe trafikut të narkotikëve”.

“Vendim shumë i rëndësishëm i Thesarit amerikan për të sanksionuar ata që mundësojnë dërgimin e paligjshëm të armëve, promovojnë (Vladimir) Putinin dhe nacionalizmin”, shkroi ajo në “Twitter”.

Von Cramon vlerëson se Bashkimi Evropian “duhet që ta ndjekë” këtë vendim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndryshe, Departamenti Amerikan i Thesarit, këtë të martë, ka sanksionuar drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandër Vulin-in.

Futja në listë të zezë të shefit të BIA-s serbe, Aleksandër Vulin, siç njofton Thesari Amerikan, nënvizon vendosmërinë e SHBA-ve për të mbajtur atë përgjegjës për përfshirje në marrëveshje korruptive që çojnë përpara agjendat politike dhe interesat personale të tij në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Duke arsyetuar vendimin e shpalljes “non-grata” të ministrit serb, Thesari Amerikan në njoftimin për media, mban përgjegjës Vulin-in edhe për aktet e tij korruptive dhe destabilizuese të cilat kanë lehtësuar gjithashtu aktivitetet malinje të Rusisë në rajon.

Aleksandar Vulin, sipas Thesarit Amerikan, ka qenë i implikuar në krimin e organizuar ndërkombëtar, operacione të paligjshme të narkotikëve dhe keqpërdorim të detyrës publike.

“Vulin ka mbajtur një marrëdhënie reciproke të dobishme me tregtarin serb të armëve, Slobodan Tesiç, duke ndihmuar në sigurimin që dërgesat e paligjshme të armëve të Tesiç mund të lëvizin lirshëm nëpër kufijtë e Serbisë”.

“Veprimet e Vulin kanë avancuar korrupsionin brenda institucioneve qeverisëse të Serbisë. Këto akte përfshijnë shfrytëzimin e autoritetit të tij për përfitime personale, duke përfshirë përfshirjen në një rrjet të trafikut të drogës. Ai ka përdorur pozicionet e tij publike për të mbështetur Rusinë, duke lehtësuar aktivitetet keqdashëse të Rusisë që degradojnë sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe duke i ofruar Rusisë një platformë për të çuar më tej ndikimin e saj në rajon”.

“Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja po e mban përgjegjës ose bashkëpunëtor Vulin-in, ose i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në, korrupsionin në lidhje me Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur ndryshe me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, ose një zyrtar aktual ose ish-qeveritar në çdo nivel të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është shpërdorimi i aseteve publike, shpronësimi i aseteve private për përfitime personale ose qëllime politike, ose ryshfet”.

Amerika sanksionon shefin e BIA-s, Aleksandër Vulin-in

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore