Kosova

Me mbi 75% e votave të numëruara “Fronti Evropian” ka 20 mijë vota më shumë se “VLEN”


Lideret e "Frontit Evropian"

Me mbi 75 për qind të votave të numëruara, “Fronti Evropian” është duke prirë bindshëm në taborin shqiptar me 20 mijë vota në raport me koalicion e partive opozitare shqiptare “VLEN”, në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë së Veriut që u mbajtën këtë të mërkurë.

Me 76,76 për qind të votave të numëruara, “Fronti Evropian”, ka 108 mijë e 114 vota, apo 14,45 për qind, ndërsa koalicioni “VLEN” ka marrë 86 mijë e 375 vota, apo 11,78 për qind të votës totale.

Nga ana tjetër, në kampin maqedonas është duke prirë bindshëm partia opozitare nacionaliste VMRO-DPMNE, në raport me partinë që kishte pushtetin deri më tani, LSDM-në.

Me këto vota të numëruara, VMRO ka marrë plotë 310 mijë e 231 vota, apo 42,33 për qind. Ndërsa, LSDM-ja ka marrë rezultatin më të dobët në histori të saj duke u renditur e treta. Ka marrë vetëm 105 mijë e 780 vota, apo 14,43 për qind.

Përveç zgjedhjeve parlamentare, në Maqedoni të Veriut të mërkurën është mbajtur edhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.

Me 79,16 për qind të votave të numëruara, fituese e këtyre zgjedhjeve është kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, ndaj presidentit aktual Stevo Pendarovksi, që ka mbështetjen e LSDM-së.

Me këto vota të numëruara Siljanovska Davkova ka fituar 421 mijë e 673 vota, apo 64,83 për qind, ndërsa Pendarovksi ka grumbulluar vetëm 190 mijë e 369 vota, apo 29,27 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore