Kosova

“Me mangësi” e cilëson procesin zgjedhor në LV, deputeti Eman Rrahmani


“Ka pasur disa mangësi brenda zgjedhjeve të Lëvizjes Vetëvendosje”, thotë deputeti i kësaj partie Eman Rrahmani.

“Rezultati është ai i cili është. Ka qenë e pritshme që Albin Kurti do të jetë kryetari i LV-së, pasi nuk ka pasur kundërkandidat”, tha Emani në RTV Dukagjini.

Emani ka theksuar se ka pas deputetë që nuk janë lejuar të kandidojnë, por janë lejuar aktivistët.

Prandaj sipas tij, “pa një vendim të komisionit disiplinor është e padrejtë ma ia ndalu një kandidati për të garuar”,

“Besoj që kjo do të jetë njëra nga mangësitë që do ta përcjellë LV-në në nivelin lokal”, shton ai.

Ai e ka mohuar se do të largohet nga LV-ja pasi gjatë së hënës u raportua se bashkë me disa deputetë do të largohet.

“Për këtë flasin dy ose tre deputetë servil që mundohen të përfitojnë nga kjo çfarë do situatë, duke folur se do të largohen disa deputetë nga LV-ja”.

“Janë ata deputetët që rrinë në korridore të Kuvendit dhe Qeverisë, por nuk flas me emra”.

Kurti i fiton të gjitha

Të dielën, zgjedhjet e brendshme janë mbajtur dhe rezultati ka treguar atë që është thënë prej kohësh nga kundërshtarët e kësaj Lëvizje.

Albin Kurti është Lëvizja Vetëvendosje dhe Lëvizja Vetëvendosje është Albin Kurti.

Partia më e madhe në Kosovë me më së shumti votues e anëtarësi nuk ka arritur dot të prodhojë një kandidat të dytë në garën për kryetar partie dhe Kurti në garë me veten ka fituar në mënyrë absolute.

Nga numri i përgjithshëm i votave, Kurti mori 98.60 për qind pëlqim, me vetëm 0.89 për qind të votave kundër dhe 0.51 për qind abstenim.

Në këto zgjedhje për herë të parë në Vetëvendosje është votuar edhe për kryetare të organizatës për gratë.

Në hapa të Kurtit dhe afër shifrave të tij ka dalur edhe Albulena Haxhiu – edhe kjo pa kundërkandidate.

Mbi 94 për qind kanë votuar pro Haxhiut, derisa vetëm 2.8 për qind kanë qenë kundër e 2.6 kanë abstenuar.

Gjithashtu, si risi ishte edhe zgjedhja e kryetarit të të rinjve të Vetëvendosjes.

Behar Jashari ka siguruar mbështetje prej 85.55 për qind të anëtarësisë. Edhe ky pa kundër kandidat, mori 7.55 për qind kundërshtim dhe 6.8 abstenuan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore