Lajme

Me gjashtë muaj burgim dënohet personi që kanosi deputeten Ganimete Musliu


Ganimete Musliu

Me gjashtë muaj burgim është dënuar D.M, pasi i njëjti kishte pranuar fajësinë se ka kanosur deputeten e Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliu.

Dënimi me burgim është thënë se do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Ndërsa gjykatësi Driton Berisha, potencoi se dënimi me burgim ndaj D.M mund të zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë euro, me pëlqim të të akuzuarit.

I akuzuari po ashtu obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale aq sa do të llogariten nga gjykata, si dhe shumën prej 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 20 euro të tjera për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 18 maj 2023 me datë 23 dhjetor 2022 rreth orës 17:16, derisa e dëmtuara Ganimete Musliu ishte në veturën e saj në lagjen e “Spitalit” në Prishtinë, i akuzuari Driton Maloku përmes telefonit mobil e kanos të dëmtuarën Ganimete Musliu në cilësinë e deputetes së Kuvendit të Kosovës me fjalë “A je ti Ganimetja, ty duhet me te zhduk”.

Në aktakuzë është thënë se pas disa minutash rreth orës 17:35 i dërgon një mesazh përmes telefonit mobil me tekstin “Përshëndetje Ganimete, A je tu ma këtë punë me shti atë personin në punë për çka je paguar a po i kthen ato 20,000.00 euro qe mi keni marrë për me kry punë”.

Tek e dëmtuara Ganimete Musliu, është shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetën dhe trupin e sajë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore