Lajme

Më 26 maj seanca fillestare ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha


Dhurata Hoxha.

Ndaj ish ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha dhe tre të tjerëve Fitim Mustafa, Gëzim Dushi dhe Ekrem Tahiri seanca fillestare për korrupsion pritet që të mbahet më 26 maj të këtij viti.

Lajmin e ka bërë të ditur zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Duke ju referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se lidhur me rastin e të pandehurve Dh.H, F.M, G.D dhe E.T është caktuar seanca e shqyrtimit fillestar, e cila do të mbahet me datë 26.05.2022 në ora 08:45. Rasti i është ndarë në punë gjyqtarit Vesel Ismaili, gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë”, tha Gashi për Betimi për Drejtësi.

Prokuroria Speciale.

Më 12 maj, Prokuroria Speciale në Kosovë, ka ngritur edhe një aktakuzë ndaj ish ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Ndërsa, bashkë me Hoxhën thuhet se akuzohen edhe tre të pandehurit me inicialet F.M dhe G.D, ka raportuar, “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit dyshohen se në cilësi të personave zyrtarë dyshohet se kanë kryer veprën penale, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Aktakuzë kundër katër personave për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Prishtinë, 10 maj 2022 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër katër (4) të pandehurve me iniciale F.M., Dh.H., G.D dhe E.T”.

Ndryshe, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestarë të mbajtur më 1 shtator të 2021.

Ky rast gjykohet nga gjykatësi i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Arben Hoti.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa  po akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

Kurse, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’.

Në aktakuzë thuhet se Hoxha në cilësinë e ministres së MIE-së, kishe tejkaluar kompetencat e saj me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore personit tjetër, respektivisht operatorëve ekonomik “Majorelle PR & Events” dhe “Madison Strategies LLC”.

Siç thuhet në aktin akuzues, Hoxha më 11 maj 2018 kishte kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MIE-së, Demush Shasha nisjen e procedurave të prokurimit për aktivitetin e prokurimit “Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së”, duke përcaktuar procedurën që duhej aplikuar dhe emrin e “Majorelle PR & Events” me të cilin duhej lidhur kontrata.

Sipas aktakuzës, e njëjta e bëri këtë edhe pse e kishte ditur se sipas ligjit këto nuk ishin në kompetencë të ministrit, me ç’rast ata i kanë mundësuar këtij operatori lidhjen e kontratës në vlerë 180 mijë euro dhe si rrjedhojë edhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore