Kosova

McShane e cilëson “sureale” refuzimin e Spanjës për njohjen e Kosovës


Ish-nënsekretari i Britanisë së Madhe për Punë të Jashtme, përgjegjës edhe për Ballkanin Perëndimor, Denis McShane, ka thënë se refuzimi i Spanjës për ta njohur Kosovën si shtetet të pavarur, “e bllokon” anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Pika kyçe është se ekziston refuzimi sureal i Spanjës për ta pranuar Kosovën. Si djalë i ri unë mbështeta të drejtën e Spanjës për të jetuar pa sundimin fashist. Madridi refuzon të njohë një post demokratik të Millosheviçit në Kosovë. Luan në duart e Putinit dhe bllokon hyrjen e Ballkanit Perëndimor në Evropë”, ka shkruar ai në platformën X.

Diplomati britanik ka theksuar po ashtu se Evropa nuk kishte zgjidhje tjetër përpos bombardimit të Serbisë në vitin 1999 për t’i dhënë fund vrasjeve në Kosovë nga policia serbe.

“Evropa u kënaq duke parë fundin e dekadës së vrasjeve serbe, spastrimit etnik, e gjenocidit në Srebrenicë. Sllovenia, Kroacia, Maqedonia Veriore dhe Kosova nuk duan të jenë koloni serbe. Refugjatët kosovarë kishte në mbarë Evropën. BE-ja nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të ndërhynte për t’i dhënë fund vrasjeve”, potencoi ai.

Ndryshe, Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk njohin pavarësinë e Kosovës, bashkë me Sllovakinë, Rumaninë, Greqinë dhe Qipron.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore