Biznes

McDonald’s mbyll përkohësisht zyrat në SHBA përpara pushimeve nga puna


McDonald’s, sipas një raportimi, ka mbyllur zyrat e tij në SHBA për disa ditë pasi kompania përgatitet të informojë punonjësit për pushimet nga puna.

“Wall Street Journal” ka cituar një email të brendshëm nga gjigandi i ushqimit të shpejtë duke thënë se stafi i korporatave amerikane dhe disa punonjës jashtë shtetit duhet të punojnë nga shtëpia teksa kompania njofton njerëzit për statusin e tyre të punës.

Referuar raportimit, McDonald’s do të informojë punonjësit këtë javë për vendimet e personelit që janë pjesë e një ristrukturimi të gjerë të kompanisë të njoftuar më herët.

Megjithëse tregu i punës në SHBA mbetet i fortë, pushimet nga puna janë shtuar, kryesisht në sektorin e teknologjisë, ku shumë kompani punësuan tepër pas një bumi pandemik.

IBM, Microsoft, Amazon, Salesforce, Meta e Facebook-ut, Twitter dhe DoorDash kanë njoftuar të gjitha pushimet nga puna në muajt e fundit.

Politikëbërësit në Rezervën Federale të SHBA-ve kanë parashikuar se shkalla e papunësisë mund të rritet në 4.6 për qind deri në fund të këtij viti, një rritje e konsiderueshme e lidhur historikisht me recesionet.

McDonald’s ka më shumë se 150 mijë punonjës në role të korporatës. Rreth 70 për qind e këtyre punonjësve janë të vendosur jashtë SHBA-ve.

Kompania raportoi se shitjet e saj globale u rritën gati 11 për qind në vitin 2022 ndërsa shitjet në SHBA u rritën pothuajse 6 për qind.

Kurse marzhet totale të restoranteve u rritën me 5 për qind.

Në raportin e saj të fundit vjetor, kompania përmendi vështirësi në plotësimin e mjaftueshëm të personelit të disa prej pikave të saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore