Lajme

McDonald’s do të ndalojë biznesin e tij në Rusi


Kompania amerikane e ushqimit “Fast Food” “McDonald’s” ka njoftuar se do të mbyllë përkohësisht 850 restorantet e saj në Rusi, pas presionit të madh për të marrë një qëndrim mbi pushtimin e Ukrainës me urdhër të Kremlinit.

Në një deklaratë kompania tha se, “vlerat tona nënkuptojnë se ne nuk mund të injorojmë vuajtjet e panevojshme njerëzore që shpalosen në Ukrainë”.

“McDonald’s” shtoi se kishte punësuar 62 mijë njerëz në Rusi, të cilët kishin “derdhur zemrën dhe shpirtin e tyre” në markë. Ajo premtoi të vazhdojë të paguajë punonjësit e saj në Rusi dhe Ukrainë.

Vendimi i zinxhirit të ushqimit të shpejtë për të ndërprerë përkohësisht operacionet e tij në Moskë është një moment historik në thellimin e izolimit ekonomik të Rusisë.

“McDonald’s” ishte një nga kompanitë e para perëndimore që hapi një filial në Rusi në ditët e fundit të Bashkimit Sovjetik. Mijëra rusë u vunë në radhë për të provuar hamburgerët e tij, kur “McDonalds-i” i parë u hap në janar të vitit 1990.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore