Kosova

Mbyllja e degëve të postës serbe, Bislimi: Perëndimi do të duhej të na mbështeste fuqishëm  


Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, nëpërmjet një postimi të gjatë në platformën sociale, Facebook, ndërsa ka sqaruar arsyet e vendimit të autoriteteve të Kosovës për të mbyllur nëntë degë të Postës së Serbisë në Veriun e Kosovës, ka potencuar se një operacion i tillë “do të duhej të mbështetej fuqishëm edhe edhe nga partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë”.

Sipas kryenegociatorit të palës kosovare, Posta e Serbisë, ka vepruar në mënyrë ilegale në territorin e Kosovës, andaj veprimet e ndërmarra të hënën nga Policia e Kosovës “janë vetëm në shërbim të mbrotjes së sundimit të ligjit konkurrueshmerisë, dhe kushtetutshmërisë në vend”.

“Strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal, nuk kanë vend në Republikën e Kosovës”, ka shkruar ai.

Bislimi duke konstatuar se Posta e Serbisë ka operuar jashtëligjshëm në Kosovë, ka vlerësuar se “prezenca e këtyre zyrave në territorin e Republikës së Kosovës përveçse paraqet shkelje të rëndë të parimeve të fqinjësisë së mirë, ato gjithashtu përbëjnë aktivitet ilegal, shkaktojnë çrregullim tregu, dhe prishjen e konkurrencës”.

“Fakti që çështja e shërbimeve postare është konsideruar si diskutim për të ardhmen në marrëveshjet e kaluara të viteve 2013 dhe 2015, nuk nënkupton që në ndërkohë Posta e Serbisë të vijojë operimin ilegal në vend, të shkelë të gjitha rregullat, ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Asgjë nuk nënkupton të drejta, apo tolerim të entiteve ilegale në vend. Kjo asesi nuk mund të jetë e pranueshme dhe e lejueshme për shtetin tonë, e parimisht nuk do të duhej të ishte e pranueshme as nga ana e Bashkimit Evropian”, ka potencuar Bislimi.

Bislimi ndër të tjera duke arsyetuar një vendim të tillë të autoriteteve kosovare, ka potencuar se Kosova “punon çdo ditë që t’i përafrohet standardeve, vlerave e parimeve më të larta të Bashkimit Evropian”.

“Përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit që Kosova e ka me BE-në, ne si shtet obligohemi që sipas neneve 74, 75, 91, 94, 96 dhe 99, të ndërtojmë dhe praktikojmë ekonominë e tregut të lirë, t’i përmbahemi rregullave të mbrojtjes së konkurrueshmërisë në treg si dhe ndalimit, parandalimit dhe luftimit të aktiviteteve të tjera ilegale. Për më tepër, parakushtet kryesore për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian janë drejtësia, sundimi i ligjit dhe mbrojtja e respektimi i tyre”, ka shtuar ai.

Policia e Kosovës, të hënën, njoftoi për zhvillimin e një aksioni pas informatave të pranuara nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Kështu autoritetet mbyllën nga tri objekte në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.

Aksioni në fjalë u kritikua edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Evropian, duke u cilësuar si një veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar i autoriteteve të Kosovës.

BE-ja e kritikoi aksionin, duke thënë se ishte një veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar i autoriteteve të Kosovës.

Blloku argumentoi se një veprim i tillë shkel dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Edhe Shtetet e Bashkuara thanë se janë “thellësisht të zhgënjyera” për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë.

Ambasada amerikane në Prishtinë tha se veprimet “e pakoordinuara të Kosovës përballin shtetasit e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it me rrezik të madh, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore