Shqipëria

Mbyllet seanca plenare, miratohet rendi i ditës


Pasditen e së premtes është mbyllur seanca e dytë plenare në Kuvendin e Shqipërisë, pas miratimit të rendit të ditës.

Nën drejtimin e deputetes më të vjetër në moshë, Luljeta Bozo, u nis me miratimin e mandateve të deputetëve nga Komisioni i Verifikimit të Mandatit të deputetëve.

Ky komision ishte i përbërë nga pesë deputetë nga maxhoranca dhe katër nga opozita.

Partia Socialiste u përfaqësua nga Klotilda Bushka (kryetare), Ermonela Felaj, Aurora Maraj, Nasip Naço dhe Toni Gogu.

Ndërsa Partia Demokratike nga Saimir Koreshi, Dhurata Çupi, Blerta Bardeli dhe Belind Këlliçi.

Bushka prezantoi vendimin mbi miratimin e 140 deputetëve të Kuvendit të Legjislaturës së X-të të Shqipërisë.

Gjithashtu, ajo konfirmoi dhe katër emrat që do të zëvendësojnë deputetët, të cilët dorëzuan mandatin e tyre.

Nga radhët e Partisë Socialiste, i pari që dorëzoi mandatin ishte Gramoz Ruçi, pasuar nga Najada Çomo dhe, në fund, Lefter Koka. Ndërsa nga radhët e Partisë Demokratike u dorëhoq Mark Marku.

Sipas listës përkatëse, në bazë të shumatores së votave, Najada Çomo u zëvendësua me Mimi Kodhelin, Lefter Koka me Denis Deliun dhe Gramoz Ruçi me Mirela Pitushin. Ndërsa mandati i Mark Markut u zëvendësua nga Elda Hoti.

Nga ana tjetër fill pas kësaj nisi dhe rendi i ditës, me betimin e 140 deputetëve që do të përfaqësojnë zërin e popullit shqiptar.

Të gjithë deputetët, sipas rendit analfabetik, u betuan në bazë të rregullores së Kuvendit të Shqipërisë.

Lindita Nikolla, kryetarja e Kuvendit

Rendi tjetër nisi me votimin e kryetares që do të drejtojë Kuvendin për katër vitet e ardhshme.
E propozuar nga Partia Socialiste, e cila përbën maxhorancën, ishte Lindita Nikolla – ish-ministrja e Arsimit në Shqipëri.

Ky votim u bojkotua nga opozita, përkatësisht Partia Demokratike. Këta të fundit grisën fletën e votimit.

Nga ana tjetër, Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ndoqi rrugën e PD-së. Katër deputetët e LSI-së u drejtuan të votonin.

Fill pas mbarimit të votimit, Nikolla theu shumicën parlamentare me 79 vota pro, katër kundër, nga 137 deputetë prezent në votim.

Zyrtarisht, Lindita Nikolla do të drejtojë Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për katër vitet e ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore