Mbyllet numërimi në Kukës, Celibashi: Procesi i qetë, u mbikëqyr me transmetim një kohë reale

Është mbyllur plotësisht procesi i votimit dhe numërimit për Bashkinë Kukës, ku fitues rezultoi kandidati i Partisë Socialiste, Albert Halilaj, me 63.67% të votave, krahasuar me kandidatin e opozitës, Emri Vata, i cili arriti të merrte vetëm 36.33%.
Lidhur me këtë, ka reaguar edhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili ka treguar se i gjithë procesi ka qenë i qetë dhe është transmetuar dhe monitoruar me transmetim në kohë reale.
1/3 Ka përfunduar procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Kukës, të datës #24Shtator2023. pic.twitter.com/EpNHXiDkJi
— Ilirjan Celibashi (@ICelibashi) September 25, 2023
“Ecuria e procesit të numërimit të votave ishte e qetë, u monitorua nga stafi teknik i KQZ-së dhe u mbikëqyr përmes transmetimit në kohë reale në Qendrën e të Dhënave në KQZ”, shkruan komisioneri.
Teksa, ai gjithashtu ka bërë me dije se po fillohet procedura e përgatitjes dhe dorëzimit të kutive të votimit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
PS feston fitoren
Partia Socialiste ka shpallur zyrtarisht fitoren në Bashkinë e Kukësit, ku me procesin tërësisht të përfunduar, ndryshimi është prej mbi 5 mijë votash.
Kështu, me 74 nga 74 kuti të numëruara, kandidati socialist Albert Halilaj ka arritur të marrë 13 mijë e 25 vota, përkthyer në 63.67%, krahasimisht me kandidatin opozitar të koalicionit Bashkë Fitojmë, Emri Vata, i cili ka marrë 7 mijë e 431 vota, ose 36.33% të totalit.
Me kutitë e mbetura është i pamundur kthimi i rezultatit.
Këtë fitore ndërkaq e kanë festuar socialistët e Kukësit, ku drejtuesi i majtë i qarkut, Pandeli Majko, ka mbajtur edhe një fjalë të shkurtër.
PS shpall fitoren në Kukës, demokratët me humbje më të thellë se 14 maji
“Kjo është fitore e një djali që fiton në Kukës dhe që do tu shërbejë të gjithëve pa asnjë dallim partiak. I kemi një borxh të madh Kukësit. Ky borxh nuk shpërblehet me fjalë, por me vepra”, theksoi Majko pasi rezultati nuk mund të kthehet.
Nga ana tjetër, kryeministri i vendit, Edi Rama, e ka etiketuar fitoren e thellë si detyrim për të bërë më shumë vepra në bashkinë veriore.
“Kur janë numëruar pak më shumë se gjysma e kutive të votimit, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Kukësit ka një avantazh të pakthyeshëm prej thuajse 3 mijë votash, i cili do të thellohet ende deri në kurorëzimin e një fitoreje shembullore, që flet qartë për besimin dhe për pritshmërinë e qytetarëve kuksianë ndaj nesh, si edhe për detyrimin tonë të madh ndaj tyre, për të bërë shumë më shumë akoma për Kukësin”.
Kështu ka shkruar kreu i PS-së në llogarinë e tij në Facebook.
Nëse bëhet krahasimi me zgjedhjet e 14 majit, kandidati i atëhershëm në Kukës për të djathtët, Admir Sinamati, arriti të merrte 9 mijë e 592 vota. Pra, mbi 2 mijë vota më shumë se sa Emri Vata sot.
Teksa, socialistët, atëherë me Safet Gjicin do të merrnin fitoren me 11 mijë e 632 vota. Por, sot, numrat e tyre janë konsoliduar edhe më shumë, me mbi 1 mijë e 300 vota plus në Kukës.
Zgjedhjet e pjesshme u mbajtën në Kukës pasi Gjici, si i mandatuar për herë të dytë, u përfshi në një skandal videoseksual, duke çuar më tej shkarkimin e tij nga detyra dhe duke u arrestuar më pas për shpërdorim detyre dhe përfshirje në korrupsion.
Ende sot, ai pret një vendim për fatin e tij.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Pritet të mbahet takimi për zbatimin e vendimeve të GJEDNJ, rastet përfshijnë dhe Shqipërinë
-
Shehaj “po punon” për një alternativë të re politike
-
Nesër mblidhet Këshilli i Ministrave të Italisë, në rend dite edhe marrëveshja e emigrantëve me Shqipërinë
-
Komiteti i Bernës apel Shqipërisë për aeroportin e Vlorës në zonën e mbrojtur