Kosova

Mbyllën pesë objekte komunale paralele në Veri, Krasniqi: Funksionuan nën direktiva të Serbisë


Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë mbyllur pesë institucione paralale ilegale të vetëqeverisjes lokale në Veri, të cilat sipas tij kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë.

Lajmin e ka bërë të ditur Krasniqi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, komuna paralele e Mitrovicës, komuna paralele e Zveçanit, komuna paralele e Zubin Potokut, komuna paralele e Leposaviqit”.

Ai ka njoftuar se të pestat i bashkohen shtatë komunave të tjera paralele të cilat ishin mbyllur në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash në muajin janar.

“Qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës”.

“Nuk ka vend për operim ilegal dhe shërbime paralele në asnjë hapësirë të Republikës sonë”, ka shkruar Krasniqi.

Edhe Policia e Kosovës, ka lëshuar njoftim se janë duke kryer operacion në Veri dhe pas përfundimit të aksionit do të japin informacione shtesë.

“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe ndërprerja e aktiviteteve në pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues”.

“Operacioni policor është duke vazhduar, ndërsa për informacione shtesë do të informoheni pas përfundimit të operacionit”, thuhet në komunikatën e policisë.

Më 26 janar, Krasniqi kishte bërë të ditur se në fshatin Vranisht të Dragashit, janë mbyllur katër komuna paralele, ku ai ka thënë se janë lëshuar kundërligjshëm dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore