Shqipëria

Mbrojtja pezullon katër ushtarakë pas zbulimit të kanabisit në Zall Herr


Ministria e Mbrojtjes ka liruar nga detyra të mërkurën e 9 gushtit katër ushtarakë të tjerë pas gjetjes së 125 rrënjëve kanabis në zonën e Zall Herrit.

Menjëherë pas ngjarjes në të gjitha strukturat e Forcave të Armatosura filloi një proces vlerësimi dhe analize për masat e marra dhe nxjerrjen e përgjegjësive, vërejnë autoritetet.

Shtabi i Përgjithshëm i FARSH-it ushtroi kontroll në Forcë Tokësore dhe Repartin Ushtarak me subjekt planëzimin dhe zbatimin e masave të ruajtjes dhe sigurisë.

Nga ky proces, përfshirë edhe vetë analizën e vetë Shtabit të Përgjithshëm, janë liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion katër ushtarakë të repartit ushtarak ku ndodhi ngjarja.

Bëhet fjalë për: Specialistin për sigurinë në seksionin e zbulimit, specialistin për infrastrukturën/MNZSH, zëvendës komandantin e togës në Kompaninë e Mbështetjes dhe magazinierin në Kompaninë e Mbështetjes.

Gjithashtu, Mbrojtja ka propozuar edhe lirimin nga detyra të gjashtë ushtarakëve të Forcave Tokësore dhe katër ushtarakë të Policisë Ushtarake.

“Ngjarja e ndodhur nuk ka cenuar disiplinën, gatishmërinë dhe operacionalitetin e strukturave të FA-ve dhe nuk ka ndikuar në uljen e moralit të personelit ushtarak dhe civil, për të shërbyer me përkushtimin dhe devotshmëri në përmbushje të  misionit dhe detyrave të FA-ve”, përmbyllet reagimi i autoriteteve.

Ndërtimi i ngjarjes

Gjykata Penale do të caktonte dy ditë më parë masën e sigurisë “arrest në burg” për tre zyrtarët e repartit ushtarak të Zall Herrit.

Bëhej fjalë për shtetasit: Gramoz Mullai, 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë, Rustem Koçi, 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin dhe Gentian Zhurda, 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie.

Të tre zyrtarët ushtarakë akuzohen për “shpërdorim detyre”.

Ata nuk kanë pranuar të kenë lidhje dhe dijeni për 125 rrënjët e kanabisit të mbjella në repartin ushtarak.

“Nuk mund të kontrollohen 140 hektarë tokë, kemi lajmëruar eprorët për pamundësinë e kontrollit”, deklaroi mbrojtja e tyre.

Një mega-operacion i Policisë së Shtetit zbuloi në zhvillimin e saj një parcelë me lëndë narkotike në repartin ushtarak të Zall Herrit.

Autoritetet kishin angazhuar në operacionet anti-kanabis më shumë se 6 mijë forca policie dhe 75 dronë të cilësisë së lartë.

Pas ngjarjes do të vinte reagimi i ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili do e vinte theksin te pezullimet në rang zyrtarësh ushtarakë të bazës.

Sipas ministrit, bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Ushtarake, bëri të mundur evidentimin dhe më pas asgjësimin e 125 bimëve kanabis, të cilat ishin kultivuar në një zonë të pyllëzuar, në territorin e zonës ushtarake të Zall Herrit.

“Menjëherë janë pezulluar nga detyra të gjithë personat përgjegjës. Dënojmë me forcë çdo aktivitet të kundërligjshëm. Inkurajojmë organet ligjzbatuese të bëjnë detyrën në çdo rast”, thekson Peleshi në reagimin e tij.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, deklaroi nga ana tjetër se lufta kundër kultivimit, trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike do të jetë sistematike.

“Lufta kundër kultivimit, trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike do të jetë sistematike. Shqiptarët presin një pastrim të territorit tonë nga kultivimi i paligjshëm i bimëve narkotike. E përgëzoj sot Policinë e Shtetit e cila si asnjëherë më parë ka angazhuar në këtë mega-operacion kombëtar më shumë se 6 mijë forca policie dhe 75 dronë të cilësisë së lartë”, tha zyrtari shqiptar.

Balla u shpreh i vendosur se goditja ndaj krimit do të vazhdojë e rezultatet janë të dukshme ku deri më tani janë arrestuar 12 persona, mes tyre dhe punonjës të shtetit dhe 10 të tjerë të proceduar penalisht.

“Deri në këtë moment janë arrestuar 12 persona, mes tyre dhe punonjës të shtetit dhe 10 të tjerë të proceduar penalisht, asgjësuar deri sot në mëngjes mbi 17 mijë bimë cannabis sativa, si dhe janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash si dhe armë e sende të tjera të kundërligjshme. Kultivimi i paligjshëm i kanabisit ka qenë një burim financash për organizatat kriminale. Ky burim duhet shuar përfundimisht. Goditje të tjera më të forta po vijnë”, garantoi Balla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore