Lajme

Mbrojtja në Apel kërkon lirimin e Mustafës nga akuzat, rigjykim ose ulje të dënimeve


Salih Mustafa

Mbrojtja ndaj ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa ka kërkuar prishjen e dënimeve për pikat 1,3 dhe 4 si dhe zëvendësimin e tyre me lirime për secilën pikë ose një urdhër për kthimin e çështjes të trupi gjykues apo nëse vërtetohen një/të gjitha dënimet, ulje dënimi.

Në njoftimin për apel, mbrojtja ka listuar të gjitha gabimet që pretendon se i ka bërë trupi gjykues i shkallës së parë.

“Trupi gjykues ka gabuar në zbatimin e nenit 44 të ligjit, duke çuar në shkeljen e garancive kushtetuese nga neni 33 (2) të Kushtetutës së Kosovës; Trupi gjykues gaboi duke e interpretuar dispozitën e nenit 44 të ligjit në mënyrë të tillë duke injoruar natyrën e saj antikushtetuese në kundërshtim me nenin 33 (2) të Kushtetutës”.

“Për këtë, mbrojtja propozon që Gjykata e Apelit t’i referohet për vlerësim kushtetues, nën kontrollin rastësor të kushtetutshmërisë, siç përcaktohet në nenin 113.8 të Kushtetutës së Kosovës, dispozitat e nenit 44 të Ligjit”, thuhet në njoftimin për apel.

Tutje, është theksuar se trupi gjykues ka bërë gabim duke mos marrë parasysh gamën e dënimeve shqiptuara ndaj personave të dënuar për vepra të ngjashme në gjykatat/tribunalet tjera të Kosovës dhe ndërkombëtare.

“Kur e dënoi apeluesin në lidhje me pikën 3 mbi bazën se të paktën gjashtë persona u torturuan, kur sipas gjetjeve të trupi gjykues, ankuesi kishte marrë pjesë vetëm në torturimin e dy personave dhe kishte mjetet e nevojshme për torturë në lidhje me ata dy persona”, thuhet tutje raporton ‘Betimi për Drejtësi’.

Ndaj ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës konferenca para apelit në Gjykatën Speciale pritet të mbahet më 16 shkurt.

Lajmi është bërë i ditur përmes njoftimit nga Gjykata Speciale.

“Kryetarja e Panelit të Gjykatës së Apelit, Mishelë Pikar, në bazë të rregullës 178 të Rregullores, ka caktuar datën për mbajtjen e konferencës para apelit në çështjen Salih Mustafa për 16 shkurt 2023 në ora 10:00”.

Më 16 dhjetor, ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Musafës, i është dhënë dënimi prej 26 vjet burgim nga nga Trupi Gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjykata Speciale.

Mustafa, i cili njihet ndryshe edhe si komandant Cali u shpallë fajtor në disa pika – “torturë si krime lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje e paligjshme si krim lufte”.

Dënimi, nga 35 vjet sa kishte kërkuar prokuroria, është dhënë për 26 vjet burgim.

Mustafa është shpallur i pafajshëm për pikën e aktakuzës “trajtim mizor”.

Duke qenë se Mustafa u shpallë fajtor për më shumë se një vepër penale, trupi gjykues ka përcaktuar fillimisht nga një dënim për vete për secilën vepër penale për të cilën është dhënë vendim fajësie.

E më pas Kryegjykatësja, Mappie Veldt-Foglia, ka shqiptuar dënimin në tërësi me 26 vjet heqje lirie.

“Trupi gjykues ka përcaktuar dënim me 10 vjet burgim për krimin e luftës ndalim arbitrarë, dënim me 22 vjet burgim për krimin e luftës së torturës dhe dënim me 25 vjet burgim për krimin e luftës së vrasjes së paligjshme”.

Dënimi ndaj Salih Mustafës nga Gjykata Speciale është i pari lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Për çka akuzohej Salih Mustafa?

Sali Mustafa, i njohur me nofkën “komandat Cali”, akuzohej për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme të shqiptarëve.

Këto krime dyshohet se ishin kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishtë konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhej se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.

Ndërkaq, Mustafa, i pyetur se si deklarohet për akuzat, kishte thënën “i pafajshëm në të gjitha pikat që mi ngarkon kjo Zyre e Gestapos”, duke bërë referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore